Seanca gjyqësore në ngarkim të Klodian Çalamanit, është shtyrë për të dytën herë në Gjykatën e Fierit. Çalamani akuzohet për vrasjen e 8-vjeçarit Mateo Vasiu.
Burime për mediat raportojnë se çështja gjyqsore ndaj Çalamanit është shtyrë pasi ky i fundit nuk është paraqitur në seancë por, gjithashtu as familjarët e viktimës nuk ishin prezent. Si rezultat, seanca është shtyrë.
Edhe në seancën e 22 korrikut 2022 në gjykatën e Fierit, i pandehuri dhe familjarët nuk kanë qenë prezentë. Seanca u zhvillua me përfaqësinë e avokatëve Denid Hajdëraj i të pandehurit dhe të Rozeta Plakut, avokatja e familjarëve.
Mbi Çalamanin, rëndojnë akuzat për veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur me dhunë” dhe “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj një miturit”.
Prokuroria e Fierit mbylli më 15 qershor hetimet për çështjen dhe e dërgoi të pandehurin Klodian Çalamani për gjykim në gjykatë. Nga hetimet paraprake rezultoi e provuar se në datën 16.11.2021 babai i Mateo Vasiut, ka bërë kallëzim penal rreth orës 14:58 pasi është njoftuar në telefon nga bashkëshortja se djali i mitur nuk ka ardhur në banesë dhe nuk dihej vendndodhja e tij, duke dhënë dhe karakteristikat e fëmijës dhe veshjen e tij.
Si ndodhi ngjarja?
Ka qenë nëna e të miturit, Florida e cila në orën 15:30 ka bërë denoncimin në polici, pasi djali i saj ishte zhdukur dhe për të nuk kishte asnjë gjurmë. Pas denoncimit, efektivët e policisë kanë nisur hetimet dhe nga kamerat e sigurisë u zbulua se komunikimi i fundit i të miturit ka qenë me Çalamanin, fqinji i tij. Nisur nga kjo, efektivët i kanë shkuar në banesë, ku i riu është parë i shqetësuar, ç’ka ka ngritur dyshimet e Policisë, e për pasojë është shoqëruar në Komisariat.
Gjatë marrjes në pyetje, ai është dorëzuar dhe ka pranuar krimin monstruoz, ku përveç se e kishte vrarë, edhe e kishte groposur në oborrin e shtëpisë. Efektivët janë rikthyer edhe një herë në banesën e të riut dhe aty kanë gjetur trupin e pajetë të 8-vjeçarit të mbuluar me baltë. I mituri është goditur barbarisht 2 herë me lopatë pas koke, goditje këto që kanë rezultuar fatale duke i marrë jetën 8-vjeçarit. Motivet e këtij krimi mbeten ende mister, se çfarë mund ta kenë shtyrë 38-vjeçarin të vrasë një fëmijë vetëm 8-vjeç.