Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka bërë një deklaratë të “frikshme” ditën e sotme teksa ka folur për zgjedhjet e pjesshme lokale që do të mbahen nesër në 4 komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Sipas tij, pas formimit të institucioneve të reja lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, ku shumica e popullsisë është serbe, do të ketë “pushtim të plotë”.
Mediat serbe shkruajnë se me një shprehje të tillë, Vuçiç i është referuar faktit që në garë nuk janë regjistruar kandidatë serbë, anëtarë të Listës Serbe. Këta të fundit kanë vendosur të bojkotojnë zgjedhjet, duke ndjekur udhëzimet e dhëna nga Beogradi.
“Nesër, populli ynë me qetësi, përgjegjësi dhe përbuzje do t’i shikojnë ata që do të vijnë nga Mitrovica e Jugut për të votuar që të zgjidhet udhëheqje e re në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Çfarë do të ndodhë më pas, do të jetë një pushtim i plotë për të cilin qytetarët tashmë janë gati, janë mësuar. Ata do të jenë të qetë, do të jenë të përgjegjshëm, ne do të paguajmë rrogat si më parë, do të luftojmë edhe më shumë për ta, do të ngremë standardet dhe do të presim për kohë më të mirë në të cilën, Karta e OKB-së do të jetë e vlefshme si dhe e drejta publike ndërkombëtare”, tha Vuçiç të shtunën.
Vuçiç tha se serbët në Kosovë kanë marrë pjesë në disa cikle zgjedhore, por tani ata nuk duhet të marrin pjesë para se të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.