Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se është i shqetësuar në prag të nisjes së zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave.
Me këtë vendim, të datës 29 qershor, të gjitha makinat me targa të lëshuara nga autoritetet serbe, duhet të riregjistrohen me targa të Republikës së Kosovës.
Automjete me targa të tilla – rreth 10.000 – qarkullojnë kryesisht në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.
“Jam i shqetësuar dhe do të shohim se si do të zhvillohen gjërat”, tha të enjten Vuçiç, sipas Radios Evropa e Lirë.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës parasheh që riregjistrimi i makinave të nisë nga data 1 gusht dhe të zgjasë deri më 30 shtator.
Bëhet fjalë për makinat që i kanë targat me akronime të qyteteve të Kosovës, si: PR për Prishtinën, GL për Gjilanin, PZ për Prizrenin, KM për ‘Mitrovicën e Kosovës’ e të tjera.
Ato tani do të duhet të regjistrohen në RKS, që do të thotë Republika e Kosovës.
Për këtë çështje, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në vitin 2011, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por ajo nuk është zbatuar në terren.
Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut Kosovë-Serbi, ka thënë se Kosova ka të drejtë t’i zëvendësojë targat me akronimet e qyteteve.
Vuçiq tha se autoritetet në Kosovë duan që “targat KM të mos ekzistojnë askund”.
“Me çfarë baze? Ku shkruan? Shkruan në kokën e Albin Kurtit dhe të vendeve të Quint-it (SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë, Francës), sepse për to, Kosova është shtet”, tha Vuçiç.
Me vendimin e Qeverisë së Kosovës, pas 30 shtatorit, nuk do të ketë mundësi riregjistrimi me targat që lëshojnë autoritetet serbe. Por, Qeveria e Kosovës nuk ka treguar se çfarë do të ndodhë me makinat që nuk riregjistrohen në RKS pas këtij afati.
Nga 1 gushti do të hyjë në fuqi edhe një vendim tjetër i Qeverisë së Kosovës për kalimin e pikave kufitare me dokumente personale, të lëshuara nga autoritetet serbe.