Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, bëri thirrje për tërheqjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.
Kjo thirrje e liderit serb vjen në kohën kur autoritetet e sigurisë kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se është rritur prania e njësive speciale të Policisë së Kosovës në pjesën veriore.
Gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Danimarkës, Lars Rasmussen, në Beograd më 28 shtator i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë të gjitha masat për të parandaluar “lëvizjet e rrezikshme dhe të papërgjegjshme të Prishtinës” dhe “të mbrojnë popullatën serbe”, njoftoi Presidenca serbe.
Vuçiç e cilësoi situatën në Kosovë si “më të ndërlikuarën dhe më të rrezikshmen deri më tani” dhe shtoi se ngjarjet e 24 shtatorit janë “treguesi më i qartë i qëllimeve të Prishtinës për të parandaluar çdo marrëveshje me Beogradin”.
Sipas presidentit serb, shteti i tij “është i gatshëm të punojë në vazhdimin e dialogut e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”.
Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i maskuar dhe i armatosur, teksa forcat e rendit po tentonin të largonin barrikadat që ishin vendosur në një rrugë në fshatin Banjskë të Zveçanit – një prej katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.
Grupi i armatosur – që sipas autoriteteve përbëhej prej rreth 30 personash – më pas u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku gjatë gjithë të dielës u përlesh me policinë. Policia dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë thënë se udhëheqës dhe pjesëmarrës i këtij sulmi ishte Millan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Për pjesëmarrjen e Radoiçiqit – i cili është nën sanksione amerikane dhe kërkohet në Kosovë për frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor të njohur si Brezovica – Sveçla ka publikuar edhe një video të incizuar me dron, që tha se e shfaq zyrtarin e Listës Serbe në Banjskë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë më 27 shtator se Radoiçiq gjendet në Serbi dhe ai do të merret në pyetje nga organet serbe.
Aktualisht, katër persona janë të arrestuar për ngjarjet në Banjskë, teksa Policia ka ekspozuar më 25 shtator armë dhe pajisje të tjera që ka thënë se janë konfiskuar në këtë fshat. Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës./REL