Vuçiç kundërshton paralajmërimin e KFOR-it se nuk do të lejojë barrikada në veri

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se në dy-tri ditët e ardhshme ai do t’i dërgojë një letër misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, lidhur me njoftimin nga ky mision që tha se nuk do të lejojë ngritje të barrikadave në veri të Kosovës.

“Qëllimi juaj duhet të jetë mbrojtja e popullatës serbe, ata janë minoritet. Pse po i ndihmoni shqiptarët që të shtypin këtë minoritet. Pse, së bashku me shqiptarët po keqtrajtoni serbët, a është detyra juaj apo jo që të ndihmoni serbët”, tha Vuçiç më 24 gusht në Beograd gjatë një takimi të partisë së tij në pushtet, Partisë Përparimtare Serbe.

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ferenc Kajári, tha për televizionin publik të Kosovës më 23 gusht se situata në veri të Kosovës është e qetë dhe se forcat ndërkombëtare më nuk do të lejojnë vendosjen e barrikadave.

Më herët, nga ky mision ka paralajmëruar se është i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti në Kosovë.

Vuçiç sqaroi se ai do t’ia dërgojë letrën KFOR-it pas të zhvillojë bisedime me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Ata do të takohen në Beograd me zyrtarët serbë më 25 gusht.

Presidenti serb shtoi se ai e interpreton ndryshe rolin e KFOR-it dhe NATO-s. Sipas tij, kriza nuk mund të të zgjidhet në këtë mënyrë, por vetëm përmes bisedimeve politike.

Vuçiç po ashtu falënderoi ambasadorin e SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, për deklaratat e bëra një ditë më parë, kur diplomati amerikan tha se në rundin e fundit të dialogut në Bruksel, Serbia kishte shkuar e përgatitur, ndërkaq palët e tjera jo.

Sipas kreut të Serbisë, këto deklarata nuk nënkuptojnë se do të ketë ndryshme të mëdha të politikës amerikane ndaj Kosovës, teksa Uashingtoni ishte ndër të parët që njohu pavarësinë e Kosovës më 2008.

“Amerikanët janë fuqi e madhe, superfuqi, dhe ata nuk ndryshojnë politikat e tyre për shkak të Serbisë së vogël. Vuçiç nuk mund t’ua ndryshojë politikën, por mundem të tregoj respekt ndaj tyre, por edhe përmes respektit ndaj shtetit tonë, që mund të jemi ‘kompromis’ që të paktën të mos krijojmë probleme ditore, por të jemi të arsyeshëm”, tha Vuçiq.

Escobar dhe Lajçak gjatë 24 gushtit kanë zhvilluar takime në Prishtinë me krerët institucionalë dhe liderët e partive opozitare. Ata thanë se qëllimi i vizitës së tyre është që të evitohet përsëritja e përshkallëzimit të situatës më 1 shtator. Po ashtu, zyrtarët perëndimorë thanë se presin që Kosova dhe Serbia të paraqesin propozime konkrete për zgjidhjen e çështjeve të targave dhe dokumenteve serbe.

Vendimet e Qeverisë së Kosovës për këto dy çështje nxitën serbët që më 31 korrik dhe 1 gusht të bllokonin rrugët në veri të Kosovës. Pas heqjes së barrikadave, Qeveria u zotua se do të shtyjë zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator.

Qeveria e Kosovës ka argumentuar se të gjitha makinat me targa të lëshuara nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës, duhet të riregjistrohen në RKS – Republika e Kosovës. Por, Serbia ka kërkuar që të përdoren targa KS, që janë neutrale ndaj pavarësisë së Kosovës.

Ndërkaq, Prishtina dëshiron po ashtu që të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, të pajisen me dokument për hyrje/dalje, sikurse pajisen shtetasit kosovar kur hyjnë në Serbi.

Kosova ka propozuar që të hiqet krejtësisht dorë nga lëshimi i këtyre dokumenteve, nëse Serbia vepron njësoj. Për lëshimin e dokumenteve për hyrje/dalje, palët kishin arritur marrëveshje vite më parë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. /REL

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *