Vuçiç: Nuk kam frikë nga ata që e kërcënojnë për mos vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç u tha gazetarëve se ai nuk ka frikë nga “ata që kërcënojnë Serbinë për mos vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe se përgjigja e tij ndaj liderëve evropianë do të jetë e sjellshme, e përgjegjshme, serioze dhe e gjerë”.

Këto akuza Vuçiç i bëri në prag të samitit të Pragës, ku do të lançohet Komuniteti Politik Evropian.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian njoftuan se çështja e mosvendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë nga Beogradi zyrtar do të ngrihet nga disa vende pjesëmarrëse në samit për të cilët kjo çështje është “e rëndësisë kombëtare”.

Presidenti serb vuri në dukje se Kroacia është përgjegjëse për faktin se Serbia këtë herë nuk është përjashtuar nga sanksionet për importin e naftës bruto nga Serbia dhe vlerësoi se shteti kroat po bën një punë që ka dekada të tëra.

“Kroacia po bën punën e saj, të cilën e ka bërë me dekada, neve na takon të gjejmë një përgjigje për këtë”, tha Vuçiç.

Presidenti i Serbisë tha se ka kohë që dihet se BE-ja do të vendosë këtë lloj sanksionesh, por Beogradi zyrtar ka kërkuar derogimin e këtyre sanksioneve për Ballkanin Perëndimor.

Plenkoviç: Serbia mund të importojë naftë, përveç naftës ruse

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, i tha Beogradit se Serbia mund të importojë çdo naftë përmes Kroacisë, përderisa ajo nuk është ruse.

“Serbia në çdo kohë mund të importojë çdo naftë, përveç nga Rusia, ta sjellë atë në portin tonë në Krk dhe përmes tubacionit tonë të naftës në Serbi. Nuk ka problem. Përveç naftës ruse”, tha Plenkoviç.

Duke iu referuar akuzave të Aleksandër Vuçiçit, i cili e konsideron Kroacinë përgjegjëse për anulimin e derogimit për naftën bruto ruse, kreu i qeverisë kroate tha se ky vendim mbështet qëndrimin e të gjithë BE-së.

“Kam parë reagime të stuhishme, por gjërat duhet thënë ashtu siç janë. Të gjitha vendimet janë marrë bashkërisht dhe Serbia nuk mund të ulet në dy karrige në këto rrethana,” tha Plenkoviç përpara samitit të Pragës.

Ai shtoi se çdo vend që vjen në këtë ngjarje, në këtë moment të historisë evropiane, duhet të respektojë regjimin e sanksioneve kundër Rusisë dhe të solidarizohet me Ukrainën.

Ndryshe, Vuçiç do të ketë një sërë takimesh bilaterale në margjinat e samitit.

Takimi më i rëndësishëm do të jetë një takim i përbashkët me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholtz. Liderët gjermanë dhe francezë do të takohen edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *