Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha se Rusia duhet t’u jap fund përpjekjeve për rekrutimin e serbëve për të luftuar përkrah grupit të saj paraushtarak Wagner në Ukrainë. Ai kritikoi faqet e internetit të Rusisë dhe grupet e rrjeteve sociale për publikimin e reklamave në gjuhën serbe në të cilat grupi Wagner thërret vullnetarët që t’u bashkohen radhëve të tij.
“Nuk është e drejtë që dikush thërret njerëzit në Serbi, e cila është e vetmja që nuk i ka vënë sanksione Rusisë, të luftojnë në Ukrainë, kur dihet se kjo është kundër rregullave tona”, tha presidenti serb të hënën në një intervistë në televizionin Happy.
Vullnetarët serbë morën pjesë në luftime së bashku me forcat pro-ruse në Ukrainë në vitet 2014 dhe 2015. Askush nuk i di numrat e saktë, por dhjetëra serbë janë regjistruar për të luftuar në Ukrainë që nga viti 2014, thonë vëzhguesit. Ligjet serbe ndalojnë pjesëmarrjen e qytetarëve të Serbisë në konfliktet jashtë vendit dhe disa persona janë dënuar për këtë.
Serbia është kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, i cili është partneri dhe investitori kryesor tregtar i saj, por gjithashtu ruan bashkëpunimin tregtar dhe ushtarak me Rusinë, një aleat tradicional i saj, që mbështetë pretendimet serbë ndaj Kosovës. Edhe pse në mënyrë të përsëritur dënoi agresionin e Rusisë në Ukrainë në Kombet e Bashkuara dhe në disa forume të tjera ndërkombëtare, Beogradi ka refuzuar t’i vendosë sanksione Moskës./ VOA