Në masë të madhe pajtohem me atë që ka shkruar në raportin vjetor të Komisionit Evropian, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiç më 12 tetor në Beograd.
Këtë Vuçiç e deklaroi në një konferencë për media pas takimit me shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Serbi, Emanuel Giofre, i cili ia dorëzoi raportin vjetor të Komisionit Evropian për progresin e Serbisë në integrimet evropiane.
Vuçiç tha se i ka përcjellë Zhiofres se do të marrë parasysh qëndrimet dhe propozimet e Komisionit Evropian për harmonizimin e politikës së jashtme me “seriozitetin më të madh”.
“Regresioni i Serbisë është regjistruar vetëm në një fushë – në qëndrimin tonë ndaj sanksioneve kundër Federatës Ruse dhe në përputhjen tonë me politikën e jashtme të BE-së. Kjo është e gjitha e vërtetë”, tha Vuçiç.
Ai tha se ishte “vendim politik i Serbisë” dhe se Serbia po “paguan çmimin” për këtë.
“Ne do të marrim parasysh gjithçka që keni thënë dhe shkruar”, tha Vuçiç.
Edhe pse është një vend kandidat për anëtarësim në BE, Serbia nuk u pajtua me politikën e jashtme të Brukselit në lidhje me pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe nuk iu bashkua sanksioneve të BE-së kundër Kremlinit.
Për shkak të kësaj, ajo ka marrë vazhdimisht kritika nga zyrtarët evropianë.
Sipas Vuçiçit, në vitin 2021, Serbia ka pasur një rritje prej 23.3 për qind në shkëmbimin tregtar me BE-në në krahasim me vitin 2020.
“Kjo flet shumë për rëndësinë që BE-ja si partner ka për Serbinë”, tha Vuçiç.
Vuçiç tha se për Serbinë është e rëndësishme që Komisioni Evropian të miratojë hapjen e grupit numër 3.
Sipas tij, raporti i hap hapësirë Serbisë që të vazhdojë të punojë për reforma gjithëpërfshirëse dhe përparim në sundimin e ligjit.
“Serbia do të shikojë përparim në rrugën evropiane, sepse ne mendojmë se është e rëndësishme për popullin e Serbisë që ekonomia jonë dhe sundimi i ligjit të ecin përpara”, tha Vuçiç.
Duke iu referuar kapitullit 35, i cili i referohet normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Vuçiç tha se “është një rrugë e vështirë për Serbinë në këtë drejtim”.
“Kam frikë se nuk do të ketë ndonjë lajm të mirë për Serbinë në këtë drejtim”, tha Vuçiç.