Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se nuk e ka nënshkruar aneksin për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, “sepse Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa Kosova nuk është” prandaj, sipas tij, nuk mund të arrihet një marrëveshje juridike ndërkombëtare.
Ai ka folur para popullit më 19 mars, duke diskutuar për takimin që ka zhvilluar në Ohër me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, një ditë më parë, nën ndërmjetësim të negociatorëve evropianë.
I pranishëm në Ohër ka qenë edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili, po ashtu, i ka komentuar si pozitive zhvillimet e së shtunës.
“Askush nuk mund t’ia imponojë Serbisë obligimin për të njohur Kosovën. Serbia mund të punojë në zbatim, deri te vijat e kuqe”, ka thënë ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 19 mars, në Twitter, se i takon BE-së të gjejë mekanizma për ta bërë marrëveshjen ligjërisht obliguese.
Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell, ka thënë më 18 mars se edhe pse palët kanë vendosur të mos e nënshkruajnë zyrtarisht marrëveshjen, ato janë pajtuar që të fillojnë zbatimin e saj sa më shpejt që të jetë e mundur.
Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.
Vuçiç ka thënë se për Serbinë është e rëndësishme që është rënë dakord që “të zbatohet ajo që është arritur në dialog”, kur bëhet fjalë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Kurti, në takim ka folur për “tri shtyllat” mbi të cilat duhet të bazohet Asociacioni, por Serbia nuk mund ta pranojë këtë, sepse për Asociacionin është dakorduar me Marrëveshjen e Brukselit.
“Asociacioni është i rëndësishëm, sepse serbët do të marrin një kornizë institucionale për veprim”, ka shtuar mes tjerash ai.
I pyetur nga gazetarët nëse do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 18 mars se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.
Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje./ REL