Disa ditë pasi Gjykata e Apelit vendosi që vula e PD t’i kalojë Enkelejd Alibeajt, ky i fundit ka menduar të rinisë edhe njëherë negociatat me grupin e Kreut të PD, Sali Berisha, në mënyrë që në zgjedhjet lokale të dilet me një kandidat.
Në mbledhjen e Kryesisë, Grupit Parlamentar dhe Kolegjit të kryetarëve, që u thirr nga Alibeaj është rënë dakord ngritja e një grupi prej 3 deputetësh të cilët janë mandatuar për të biseduar me grupin e Rithemelimit për çështjen e gjetjes së gjuhës së përbashkët për një kandidat të Partisë Demokratike.
Ky grup do të përbëhet nga Gazment Bardhi, Merita Bakiu dhe Flamur Hoxha. Gjithashtu forumet e PD vendosen si afat të këtij komunikimi deri ditën e premte.
Megjithatë, Berisha ka deklaruar vazhdimisht ditët e fundit se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje me grupin e Alibeajt, duke e cilësuar atë dhe Bashën si pengje të Ramës.