Nuk dinë të ndalur shkrimet e medieve të mëdha amerikane për skandalin e Charles McGonigal, ish-agjent i lartë i FBI-së amerikane.
Këtë herë është gazeta prestigjioze amerikane ‘Washington Post’, e cila shkruan se Edi Rama dhe Charles McGonigal janë të zhytur deri në grykë në marrëdhënie sekrete.
“Në kohën kur McGonigal dyshohet se filloi të punonte për një rus, i cili ishte nën sanksionet e SHBA, sipas aktakuzës, McGonigal ishte i zhytur gjer në grykë në marrëdhënie të tjera sekrete me kryeministrin e Shqipërisë dhe një ish-operativ të inteligjencës shqiptare.
Puna shqiptare e McGonigal dyshohet se filloi ndërsa ai punonte ende për FBI-në, një pikë e veçantë shqetësimi për ish-kolegët e tij.
Prokurorët pretendojnë se deri në gusht 2017, McGonigal ishte lidhur me një person nga Nju Xhersi, i cili kishte lindur në Shqipëri dhe disa dekada më parë kishte punuar për inteligjencën shqiptare.
Aktakuza nuk e përmend emrin e këtij personi, por përshkrimi përputhet me Agron Nezën, për të cilin të dhënat e kompanive shqiptare tregojnë se hyri në biznes me McGonigal në vitin 2019, pasi McGonigal u largua nga FBI”, shkruan gazeta.
“Emri i Nezës, së bashku me të tjerë, u përfshi në një fletë-thirrje të jurisë së madhe të nëntorit 2021, të publikuar nga Business Insider në shtator dhe të konfirmuar nga ‘Washington Post’ nga një person me njohuri për hetimin.
McGonigal i kërkoi Nezës para- dhe Neza pranoi, duke i premtuar se do i paguante pak nga pak, sipas aktakuzës. Më pas, të dy burrat udhëtuan së bashku drejt Shqipërisë në shtator të vitit 2017, ku u takuan me kryeministrin Edi Rama, thuhet më tej në aktakuzës.
McGonigal, i cili ishte duke punuar për FBI-në në atë kohë, i dha zyrës së kryeministrit ‘parafernelia’ dhe e paralajmëroi atë kundër dhënies së licencave fitimprurëse të shpimit për kompanitë ruse të naftës.
Ndërsa McGonigal dukej se po vepronte si oficer kundërzbulimi kundër ndikimit rus, prokurorët pretendojnë se në fakt, Neza dhe një tjetër shqiptar që punonte me McGonigal, i identifikuar nga prokurorët si një këshilltar informal i Ramës, kishin interesa financiare në fushat e naftës,” thekson gazeta e madhe amerikane.
“Një ish-piktor dhe ish-basketbollist, Rama ka shërbyer si kryeministër i Shqipërisë që nga viti 2013, duke udhëhequr një nga dy partitë politike mbizotëruese- dhe shpesh në konflikt- në vend.
Vitet e fundit, ai ka paralajmëruar për rritjen e ndikimit rus mbi kundërshtarët e tij politikë, gjë që ata e kanë mohuar. Ekspertët thanë se liderët e dy partive përpiqen të ndërtojnë dhe forcojnë lidhjet e tyre me figura kryesore amerikane, duke e bërë një aleancë me një zyrtar të lartë të FBI-së një mjet potencialisht të dobishëm për Ramën për të ndërtuar popullaritetin e tij në vend.
Me kthimin e tyre në SHBA, prokurorët pretendojnë se Neza i dha McGonigal 80 mijë dollarë, ndërsa të dy ishin ulur në një makinë të parkuar jashtë një restoranti në Manhattan. Pak më vonë, Neza i dha dy këste të tjera parash në shtëpinë e tij në Nju Xhersi, për një total prej 225 mijë dolalrësh- para që McGonigal tha se do ia kthente Nezës.
Prokurorët thanë se McGonigal nuk i përfshiu këtu pagesa në formularët financiarë të kërkuar nga FBI. Ai gjithashtu dyshohet se nuk bëri të ditur se Neza iu bashkua atij në udhëtim dhe se udhëtimi dhe akomodimi i tij iu dhanë falas.
Para se të tërhiqej nga FBI në vitin 2018, akuza pretendon se McGonigal dhe Neza u takuan vazhdimisht me Ramën në SHBA dhe Shqipëri, përfshi një herë për darkë në Uashington në mars 2018, kur atyre iu bashkua një ish-agjent i FBI-së, i cili nuk është identifikuar,” nënvizon gazeta.