Zëvendëspresidenti, William Ruto është shpallur fitues i zgjedhjeve presidenciale të Kenias. Ai ka mundur rivalin e tij, Raila Odinga, duke fituar 50.5 për qind të votave, sipas rezultateve zyrtare.
Ky njoftim është shtyrë pas pretendimeve të Odingas për mashtrime me vota. Katër prej shtatë anëtarëve të komisionit zgjedhor kanë refuzuar të bëjnë publik vendimin.
“Ne nuk mund të marrim përgjegjësinë për rezultatin që do të bëhet publik, për shkak të natyrës së errët të kësaj faze të zgjedhjeve të përgjithshme”, ka thënë, Juliana Cherera, nga komisioni zgjedhor. Partia e Odingas ka thënë më herët gjatë ditës se ka “parregullsi” dhe “keqmenaxhim” të zgjedhjeve.
Kjo është hera e parë që Ruto, 55-vjeçar, garon për pozitën e presidentit. Ai ka shërbyer si zëvendëspresident për 10 vjet, ndonëse ish-presidenti, Uhuru Kenyatta, e ka mbështetur Odingan për ta zëvendësuar. Odinga, 77-vjeçar, i cili ka pasur pozitën e kryeministrit në të kaluarën, ka garuar për pozitën e presidentit pesë herë.
Ruto ka thënë se dëshiron të bëhet president për të gjithë dhe se shteti i tij do të fokusohet në të ardhmen. Në disa rrugë ka nisur festa, në disa tjera protesta të organizuara nga mbështetësit e Odingas. Kenia është në mesin e shteteve më të pasura dhe më stabile në rajonin e Afrikës Lindore, ndonëse është përballur me situata të vështira pas zgjedhjeve më 2007 dhe 2017. Ky vend është goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit dhe rritja e çmimeve globale./REL