Xavi do Lewandovski-n para “Klasikes” dhe mahnitet nga Kessie: Është lojtar shumë i fortë

Barcelona dhe Reali i Madridit do të matin forcat mes tyre në një “Klasike” përgatitore para nisjes së sezonit të ri. Më 24 korrik, dy gjigantët spanjollë do të përballen mes tyre në Las Vegas në SHBA. Dhe trajneri i Barcelonës, Ksavi Hernandez, shpreson që deri atëherë të ketë nën urdhrat e tij edhe sulmuesin e kombëtares polake, Robert Levandovski.

Sipas asaj çfarë ka bërë me dije e përditshmja spanjolle “AS”, në një takim të shkurtër që ka pasur me presidentin Joan Laporta, Ksavi i ka kërkuar atij një sforco të fundit për të pasur sa më parë në ekip sulmuesin që aktualisht është pjesë e Bajernit të Mynihut.

Barcelona do të udhëtojë më 18 korrik drejt SHBA-së për të zhvilluar një pjesë të fazës përgatitore ku veç të tjerash do të zhvillojë edhe disa takime miqësore. Gjatë takimit me presidentin Laporta, ky i fundit i ka konfirmuar Ksavit se bisedimet janë drejt mbylljes dhe ka optimizëm që Leva t’i bashkohet Barcelonës në turin amerikan. Në pritje të Levandovskit, trajneri i Barcelonës duhet të kënaqet me lojtarët që ka në dispozicion. Klubi ka afruar 4 lojtarë në merkaton e verës, teksa ai që i ka lënë përshtypje mjaft pozitive ka qenë mesfushori Frank Kesi.

Numri një i stolit të Barcelonës është shfaqur mjaft i kënaqur me rendimentin e ish-mesfushorit të Milanit pas miqësores së parë sezonale kundër Olotit të mërkurën në mbrëmje (1-1). “Të gjithë lojtarët e rinj të afruar do të kërkojnë kohën e tyre për t’u përshtatur me ekipin, me mënyrën tonë të të luajturit. Deri më tani kemi zhvilluar 10 seanca stërvitore dhe nga ajo çfarë kam parë është se Kesi është një lojtar shumë i fortë. Aftësitë e tij fizike janë të shkëlqyera. Ai do të jetë një armë më shumë për ne në sezonin e ri”, ka thënë trajneri i Barcelonës.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *