Ish-mesfushori i katalansve Xavi Hernandez pritet të marrë vendin e lënë bosh nga Koeman në stolin blaugrana. Sipas shtypit spanjoll, ai do të takohet personalisht me sheikun Mohammed bin Khalifa Al Thani, president i Al Sadd, për të negociuar largimin e tij nga Katari.
“Pres me padurim të kthehem në shtëpi, por është një çështje respekti. Kam një kontratë dhe dy klubet duhet të bien dakord”, tha Xavi pas barazimit 3-3 të skuadrës së tij Al Sadd kundër Al Duhan.
Barcelona dërgoi zëvendëspresidentin Rafa Yuste dhe drejtorin sportiv Mateu Alemany në Doha për të negociuar. Ai që ka frenuar entuziazmin e spanjollëve është administratori i deleguar i Al Sadd, Turki Al-Ali, që deklaroi:
“E mirëpritëm vizitën e delegacionit të Barcelona-s. Por pozicioni i klubit është i qartë që në fillim: duam ta mbajmë trajnerin tonë dhe nuk mund ta lëmë të largohet në këtë moment delikat të sezonit”.
Ndërkohë, Xavi është parë të përshëndetet me lojtarët pas përfundimit të ndeshjes. Xavi pritet të marrë drejtimin e skuadrës gjatë pushimit për ndeshjet e kombëtareve.
/Priza.al/