Ministrja Xhaçka përgëzoi Malin e Zi për organizimin e këtij takimi, i cili sipas saj vjen në mes të një krize të paprecedentë të shkaktuar nga lufta e paligjshme e Rusisë kundër Ukrainës.
Kryediplomatja shqiptare shprehu mirënjohje ndaj Greqisë për kryesimin e suksesshëm të SEECP-së, duke e çuar përpara perspektivën evropiane të rajonit.
Sipas saj, është koha që rajoni ynë të bëhet bashkë dhe të bashkëpunojë në të mirë të popullit dhe perspektivës evropiane.
Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) ka për qëllim forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë ndërmjet të gjithë pjesëmarrësve nga Evropa Juglindore dhe transformimin e këtij rajoni në një zonë paqeje, sigurie, stabiliteti dhe bashkëpunimi, me synimin kryesor integrimin e plotë të tij në strukturat evropiane dhe euroatlantike.