Kandidatja për deputete në qarkun e Korçës, Olta Xhaçka është shprehur se do të punojë shumë fort për të mirën e vendit. Gjatë prezantimit të kandidatëve, Xhaçka tha se Kolonja do të kthehet në një qendër të rëndësishme për turizmin, e ndërsa premtoi se gjatë 4-vjeçarit të ardhshëm do t’i kërkojë kryeministrit Edi Rama shumë investime për këtë qark. E vendosmërinë për këtë e shprehu me një batutë.
“Kolonja do të kthehet aty ku i ka hije. Unë do të ndërmarr një angazhim para jush, që do të bëjmë gjithçka për të bërë më të mirën në këtë vend. Njerëz kaq të mrekullueshëm nuk e meritojnë të jenë jashtë vëmendjes apo jashtë korridoreve të rëndësishme turistike. I shikoni flokët e mia, unë do t’i bëhem rrodhe Edi Ramës, në çdo mbledhje, në çdo takim. Në katër vjeçarin e ardhshëm. Çdo ditë do kërkoj projekte dhe investime për Kolonjën. Dhe ashtu siç nuk do t’i ndahem unë atij, kërkoj që edhe të mos më ndaheni mua pas 25 prillit”, tha Xhaçka.
Nga ana tjetër, Rama tha se qeveria është duke parë të gjitha potencialet e Shqipërisë që të nxisë turizmin në çdo drejtim, që nga portet , aeroportet e deri tek ndërtimi i kompleksit të skive në Korçë.
“Do ta bëjmë Shqipërinë kampione të Ballkanit për turizëm. Do ta bëjmë që nga investimi i madh në portin e Durrësit, te porti i Sarandës, tek investimet në aeroporte, ai i Kukësit do të hapet për pak ditë, aeroporti i Vlorës për pak kohë do të fillojë nga puna dhe po finalizohet kontrata me kompaninë fituese, pastaj aeroportin e Sarandës. Po hapim njëkohësisht shumë porta në Shqipërinë dhe të çlirojmë potencialet e mëdha që ka vendi ynë. Do të ndërtojmë dhe kompleksin e skive që të diversifikojmë ofertat e turizmit”, tha Rama.