Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka zhvilluar një takim me ambasadoren e SHBA-së në OKB, Linda Thomas Greenfield takim i cili u mbajt në kuadër të aktivitetit për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë” të mbajtur në Tiranë.
Xhaçka gjatë fjalës së saj tha se bashkëpunimi i shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ishte një kontribut në konsolidimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik.
“Ka një arsye në fakt përse ky bashkëpunim në Këshillin e Sigurimit funksionon kaq mirë e përse mes nesh ka një linjëzim kaq të gjerë në çështjet që trajton Këshilli i Sigurimit dhe OKB në tërësi. Dhe kjo arsye është se partneritet mes nesh bazohet mbi vlera të përbashkëta por edhe interesa të përbashkëta që informojnë pastaj punën tonë.
Siç e dini, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara janë bashkëpenëmbajtës në dosjen e Ukrainës në Këshillin e Sigurimit, por pavarësisht se kjo dosje për arsye të kuptueshme ka marrë vëmendjen më të madhe, bashkëpunimi mes nesh në Këshill ka qenë i shkëlqyer edhe në një sërë fushash e situatash të tjera, njëra prej të cilave është edhe agjenda “Gratë, Paqja dhe Siguria”, e cila padyshim përbën një nga temat më dinamike dhe më tërheqëse brenda dhe jashtë OKB-së.Miratimi i Rezolutës 1325 mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë në tetor 2000 shënoi një moment vërtet historik sepse i hapi rrugë njohjes së çështjeve “jo tradicionale” si të lidhura me paqen dhe sigurinë. Është shumë domethënëse që u desh të kalonte kaq shumë kohë përpara se bota të pranonte domosdoshmërinë e përfshirjes së grave në mënyrë të plotë, të barabartë dhe kuptimplotë në vendimmarrjet e rëndësishme që lidhen me paqen e sigurinë. Dhe është akoma më domethënëse që ky rol e kjo përfshirje ende vihet në pikëpyetje edhe në nivelet më të larta të OKB.
Për Shqipërinë zbatimi i plotë i agjendës për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë” është në krye të prioriteteve që ne kemi vendosur për mandatin tonë në Këshillin e Sigurimit dhe fakti që lufta në Ukrainë, si kriza më madhore e kohës sonë, ka marrë kaq shumë vëmendje e energji, nuk do të thotë që e kemi lënë pas dore këtë agjendë.