Xhaçka takon ministrin e Lituanisë: Shqipëria të mbajë sa më parë Konferencën Ndërqeveritare

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka është takuar këtë të mërkurë me ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, Gabrielius Landsbergis.

Xhaçka shprehu vlerësimet në lidhje me vëmendjen që Lituania ka trguar karshi Shqipërisë, duke shprehur edhe njëherë mbështetjen e pa lëkundur të Lituanisë në lidhje me procesin për antarësimin e Shqipërisë në BE.

“Urojmë që, BE-ja do të vendosë mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me vendin tonë sa më parë. Gjithsesi, unë e sigurova kolegun Landsbergis se Shqipëria do të vijojë procesin e reformave. Një temë me shumë rëndësi, për të cilën shkëmbyem mendime, ishte situata aktuale e sigurisë në Evropë. Si një anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB dhe si bashkë penë mbajtëse me SHBA për Ukrainën, Shqipëria ka qenë aktive dhe vazhdon të lobojë brenda KS për të siguruar mbështetje sa më të gjerë të mundshme për këtë çështje”, tha Xhaçka.

Ndërkohë, ministri i Lituanisë theksoi se Shqipëria është duke ndjekur të gjithë reformat që i nevojiten për anëtarësimin në BE.

“Sigurisht ne po ndjekim situatën në rajon dhe po shikojmë se Shqipëria po kontribuon dhe po vepron në përputhje me parimet e BE. Mendoj se është mjaft e rëndësishme të kemi progres të mëtejshëm dhe së bashku me Maqedoninë e Veriut të shpresojmë që do të ketë një anëtarësim sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE”, tha Landsbergis.

Në përfundim të takimit, të dy ministrat nënshkruan edhe Memorandumin e Mirëkuptimit për Konsultime Dypalëshe mes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Lituanisë.

Mësohet se vizita e këtij të fundit përkujtoi ndër të tjera edhe 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Lituanisë.

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *