Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, po shfaqet mjaft e shqetësuar së fundmi për mënyrën se si po ecën përpara Reforma në Drejtësi. Edhe këtë të mërkurë ajo dha mesazhe të forta për drejtuesit e institucioneve të saj, duke i paralajmëruar se kanë në dorë të ardhmen e brezave të vendit.
Në një aktivitet për këtë reformë, ku të pranishëm ishin edhe krerët e KLGJ dhe KLP, kryediplomatja amerikane tha se ata kanë një rol thelbësor në çuarjen përpara të reformës, duke shtuar se nëse ata nuk guxojnë ta bëjnë këtë, kostot do t’i paguajnë brezat e ardhshëm.
Pjesë nga fjala e Yuri Kim
Duhet të gjejmë mënyrën se si të ecim përpara. Ne do të njihemi me hollësitë e gjetjeve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Institucionet e reformës në drejtësi tashmë janë ngritur. Është e rëndësishme për ne të kuptojmë punën e KLGJ dhe KLP, si kanë ecur deri tani. SPAK ka prokurorët. Klasa e parë e hetuesve të BKH do të përfundojë trajnimin së shpejti.
Ka shumë gjyqtarë e prokurorë që janë larguar nga detyra dhe kjo është një gjë e mirë. Nëse jemi serioz për kapjen e momentit në të cilin është Shqipëria, për të pasur një Shqipëri më të mirë dhe më të denjë si anëtare e BE, më të sigurt dhe po aq të begatë sa çdo anëtar tjetër i BE, reforma në drejtësi duhet të vazhdojë.
Le të ndalojmë së shtiruri dhe të çojmë reformën përpara. E kuptoj që puna e gjyqtarëve nuk është e lehtë, por është e rëndësishme. Nuk mund t’ia lejojmë vetes të mos kemi sukses në këtë reformë.
KLP duhet të plotësojë detyrën e tij për të pasur një SPAK me gjyqtarë që kanë kaluar vetingun. Nuk ka dyshim që plotësimi i vendeve bosh, të shkaktuara nga vetingu ka qenë alarmuese. Por, KLP ka mundësinë për të rikthyer procesin ne shtegun e duhur. Këshilli duhet të veprojë tani për të bërë një vlerësim të sistemit, duke bërë hartësimin gjyqësor dhe duke iu kërkuar llogari magjistratëve.
Ky është momenti, ju keni rol tejet të rëndësishëm. Fëmijët, brezi i ardhshëm, e kanë mendjen te ju. Askush nuk mendon që është gjë e lehtë, e di që ka një kosto vetjake dhe profesionale, por është një kosto që ja vlen, se është në të mirë të shtetit shqiptar. Nëse ju nuk jeni të guximshëm, të paguani kostot, apo nëse të gjithë ne nuk i paguajmë kostot, do t’i paguajnë brezat e ardhshëm.
/Priza.al/