Yuri Kim s’njeh vendimin e Gjykatës për PD e Berishën

“SPAK po ndjek penalisht më shumë, po konfiskon pasuri dhe po çon kriminelët pas hekurave; Gjykata Kushtetuese po funksionon; Gjykata e Lartë po shqyrton çështje; vetingu po vazhdon. Inspektorët e BKH-së po trajnohen. Reforma në Drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por po ecën përpara, edhe nëse të këqijtë nuk e duan këtë”.

Kështu thoshte ambasadorja amerikane Yuri Kim për reformën në Drejtësi por duket se vetë është një prej tyre që nuk e beson. Sot, ambasadorja takoi Enkelejd Alibeajn në Kryesinë e Kuvendit, duke iu referuar si kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, duke dalë kështu kundër vendimit të Gjykatës së Tiranës që me 25 prill regjistroi Statutin e dalë nga Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit. Statuti shkarkoi kryedemokratin (asokohe) Lulzim Basha, Kryesinë dhe të gjithë nënkryetarët, rrjedhimisht edhe Alibeajn.

Duke qenë se ai nuk mban më postin e nënkryetarit, rrjedhimisht nuk mund të jetë kryetar i komanduar. Por duket se ambasadorja Kim, kur do nuk i beson refomës që vetë e promovon dhe që është ndërtuar që në gjenezë me paratë e taksapaguesëve amerikanë ndër të tjera. Ose për të mbuluar veten mund të thotë se gjyqtari që mori vendimin, Agron Zhukri, nuk e ka kaluar procesin e Vettingut, por sërish është përgjegjësi e reformës. Ka që në 2018 që filtrimi i magjistratëve ka nisur dhe ende nuk ka përfunduar, e përdërisa gjyqtari është ende në detyrë, sërish duhet të respektojë vendimet e tij, ashtu siç bëjnë të gjithë të tjerët që gjykohen nga ai çdo ditë.

Po ashtu, mund të thuhet se vendimi nuk është i formës së prerë sepse ishte vetë Alibeaj ai që e apeloi, por edhe këtë detaj duhet t’ja shpjegojnë këshilltarët e saj; vendimi nuk mund të apelohet sepse është thjesht regjistrim statuti, proces gjyqësor që nuk ka palë.

Kur e thotë ambasadorja që nuk njeh një vendim gjykate, ç’mund të thotë një qytetar i thjeshtë që ndoshta ka të drejtë dhe i kanë hyrë në hak? Si mund të dalë Kim kundër gjithë fjalëve që ka thënë që në fillim të mandatit të saj, sepse tek e fundit nuk i ka kërkuar njeri ende të njohë Berishën, por Statutin e nënshkruar. Ndoshta ai nuk do të rizgjidhet në krye të PD-së, si i bie; ambasadorja do të mbajë të njëjtin qëndrim kundër të gjithë anëtarëve të tjerë të Rithemelimit. Po ndaj tyre përse? Ata nuk janë shpallur “non grata” nga DASH, apo vetëm sepse mbështesin Berishën?

Të paktën, në këtë vend, ambasadorja e SHBA të mos mbajë standarde të dyfishta, se me gjithë të tjerët jemi mësuar. Apo është “shqiptarizuar” pa kthim?

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *