Para dy ditësh deputetët e PD-së Edi Paloka dhe Gazmend Bardhi zhvilluan një takim mes tyre. Ndërkohë ditën e sotme kanë dalë detaje nga ky takim, ku ka pasur dakordësi, por edhe pika ku ndahen.
Ndërsa dy kampet në PD, ai i Berishës e i Bashës kanë nisur prej disa ditësh takimet për të gjetur gjuhën e përbashkët për zgjedhjet lokale të vitit 2023, ka një pikë që i mban ende larg palët.
Në takimin e para dy ditëve, kreu i Këshillit Kombëtar Paloka e ish-Sekretari i Përgjithshëm Bardhi diskutuan mbi mundësinë e bashkëpunimit për daljen me një kandidat të përbashkët në zgjedhje.
Po teksa PD-ja e Berishës ka shpallur kalendarin për primaret, prej nga ku do dalin kandidatët zyrtarë për zgjedhjet lokale, kjo gjë është kundërshtuar nga Bardhi.
Sipas këtij të fundit, primaret do organizoheshin e zhvilloheshin nga strukturat e zgjedhura nga kampi i Berishës e kësisoj rrezikohet përçarje edhe më e madhe.
Paloka i ka ofruar Bardhit që grupi i Alibeajt të marrë pjesë në primare me kandidatët e tij duke i ofruar të gjitha garancitë për proces të ndershëm, por ideja është kundërshtuar nga Bardhi.
Në vend të kësaj ai ka propozuar përzgjedhjen e emrave të mundshëm për kandidatë zyrtarë e më pas filtrimin e tyre përmes sondazheve lokale.