Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa dhe Mbretëresha Camilla (Queen Consort) janë takuar mbrëmjen e djeshme në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ‘Booker Prize’ në Londër.
Mbretëresha ndoqi eventin së bashku me motrën e saj, Annabel Elliot dhe më pas pati një takim edhe me këngëtaren Dua Lipa. Gjatë takimit të tyre, Dua i tha Camilla-s se ajo fatkeqësisht nuk do të performonte në event, duke lënë të kuptohet se ndoshta Mbretëresha është një fanse e saj. Këngëtarja i tha Mbretëreshës Camilla se ishte plotësisht e nderuar që ishte zgjedhur për të mbajtur fjalimin kryesor të natës.
E veshur me një fustan të zi nga Burberry, Dua u shfaq plot stil dhe dukej e emocionuar që po festonte disa nga autorët më të lavdëruar në botë në prani të familjes mbretërore. ‘The Queen Consort’ zgjodhi gjithashtu një fustan të zi me dantellë nga Fiona Clare dhe një palë vathë diamanti nga Van Cleef & Arpels.
Duke u ngjitur në skenë, këngëtarja e “Levitating” mbajti një fjalim prekës se si leximi e ka udhëhequr jetën e saj.
“Është një nder i madh të jesh në mesin e disa prej mendjeve letrare më të mëdha të botës për të folur për një nga gëzimet më të thella në botë: kënaqësinë e thjeshtë të leximit të një libri. Leximi është një pasion që ka marrë shumë forma për mua. Ashtu si shumë fëmijë të tjerë të shkollës në Londër, obsesionet e mia të hershme përfshinin Roald Dahl dhe Malorie Blackman, të cilët të dy më dhanë perla të vogla urtësie që më udhëheqin ende sot”- tha mes të tjerash Dua Lipa.