Policia e Durrësit pas rrëfimit të dy vëllezërve Indrit e Gentian Beqiraj, që i shpëtuan pengmarrjes në autostradën Durrës-Tiranë dy ditë më parë, goditi dje një grup kriminal që operonte në këtë qytet.
Për tentativën për të marrë peng vëllezërit, është shpallur në kërkim, Aleksandër Laho alias Pëllumb Muharremi i njohur si Rrumi, i cili më 1 nëntor 2019 i mbijetoi atentatit të mirë-organizuar te mbikalimi i Shkozetit, teksa udhëtonte në makinë me ish prokurorin e Durrësit, Arjan Ndoj, që mbeti gjithashtu i plagosur dhe u vra shoferi Andi Maloku.
Prokuroria ka dyshime se vëllezërit Beqiraj po përgatisnin planin për ekzekutimin e Rrumit dhe për këtë vëzhgonin atë dhe të besuarit e tij.
Në kërkim për pengmarrjen, është shpallur edhe Agron Bejdolli i besuar i Rrumit, si dhe 3 persona të tjerë.
Fillimisht vëllezërit refuzuan të flisnin, por më pas pranuan se kishin pranuar disa porosi me vrasje.
Gentian dhe Indrit Beqiraj kanë pranuar se në periudha të ndryshime janë kontaktuar nga Kevin Zeneli alias Kevin Suci dhe Ilirjan Feci të cilët për llogari të Kasandër Nogës të kryenin vrasjen e Geron Hasanbelliut dhe nipit të tij, me të cilët është prej më shumë se dy dekadash ne përplasje të përgjakshme.
“Për realizimin e kësaj veprimtarie, 2 vëllezërit janë paguar paraprakisht me një shumë prej 6000 eurosh. Fillimisht ata kanë siguruar kushtet e nevojshme për kryerjen e vrasjes, si armë zjarri, automjet, motoçikletë, si dhe kanë marrë me qira një banesë, në afërsi të objektivit.
Vëllezërit kanë shpjeguan se nuk e kryen ata krimin, por Kevin Zeneli. Ky i fundit me 4 janar 2022 ekzekutoi Erjon Adriatik Celën dhe plagosi 4 persona të tjerë në atë që njihet si masakra e Don Boskos. Në fakt, nuk mundi të vrasë Geron Hasanbelli, pasi ngatërroi shënjestrës
“Vrasja e këtij shtetasi nuk u krye për shkak të ngatërrimit të objektivit dhe për pasojë, më datë 04.01.2022 u vra shtetasi A. Ç. alias E. Ç. dhe u plagosën 4 shtetas të tjerë”, ka deklaruar drejtori i policisë.
Gentian e Indrit Beqiraj kanë pranuar se kanë marrë porosi nga Kevin Zeneli, lidhje e Kasandër Nogës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Belgjika, që më porosi të këtij të fundit duhet të ekzekutonin Arben Mërkurin i njohur me nofkën Maneci, një personazh me shumë dritëhije që u ekzekutua në Sukth pranverën e 2022.
“Në lidhje me planifikimin dhe marrjen e porosisë për vrasjen e shtetasit A. M., nga hetimet e thelluara rezultoi se 2 vëllezërit kishin siguruar kushtet për kryerjen e vrasjes së tij. Dy vëllezërit ishin porositur nga shtetasi K. Z. dhe kjo vrasje ka ndodhur pak kohë më vonë, por ende nuk është zbardhur plotësisht se nga kush është kryer kjo vrasje”, njoftoi policia.
Në vrasjen e Manecit, rezulton se Kasandër Noga nuk ka interesa direkte, por edhe ai ka qenë ndërmjetës.
Në mesin e 14 të arrestuarve në kuadër të operacionit porositësi është edhe një polic burgjesh që dyshohet se kontaktoi vëllezërit për të kryer vrasjen e dy personave qe e kishin rrahur, si dhe një ushtarak që dyshohet se siguronte armët.