Zbardhet ngjarja/ U plagos me 3 plumba, në pranga edhe administratori i Kallmetit

Policia e Shtetit ka arritur të zbardhë ngjarjen e djeshme të rëndë në fshatin Kallmet të Lezhës, ku fillimisht u raportua se ka mbetur i plagosur vetëm administratori lokal, Besnik Simoni, por gjatë arrestimit të autorit u vu re se edhe ai kishte një plumb në shpatull.

Pas kësaj policia doli në kokluzionin se mes tyre ka patur shkëmbim zjarri dhe nuk ka qenë vetëm Marku që ka goditur me armë.

Mësohet se gjatë ditës së sotme, policia ka arrestuar edhe Simonin.

Deri më tani policia ka arritur se sekuetrojë vetëm një nga dy armët e përdorura nga autorët.

Pas një konflikti i cili raportohet të ketë nisur kohë më parë, Marku ka qëlluar disa herë në drejtim të makinës së administratorit, teksa ky i fundit ia kthyer me të njëjtën monedhë.

Njoftimi i policisë:

Lezhë

Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 01.04.2022, në Kallmet të Lezhës, ku si pasojë e një konflikti me armë zjarri mbeti i plagosur kryetari i Njësisë Administrative Kallmet, shtetasi B. S., shërbimet e Policisë, pas disa orë kërkimesh, kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e shtetasit A. M., i cili në momentin e kapjes është konstatuar se ka qenë i plagosur me armë zjarri, për këtë arsye është transportuar në Spitalin e Traumës Tiranë.

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të ngjarjes, ku ka rezultuar se:

Më datë 01.04.2022, rreth orës 13:15, në fshatin Kallmet, Lezhë, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasit e lartpërmëndur kanë qëlluar me armë zjarri pistoleta, në drejtim të njëri-tjetrit dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi B. S., i cili pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal Lezhë, është transportuar në Spitalin e Traumës Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa shtetasi A. M. është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke u fshehur për disa orë, deri sa është lokalizuar dhe është arrestuar nga shërbimet e Policisë.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

A. M., 41 vjeç, banues në fshatin Kallmet-Lezhë, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”;

B. S., 42 vjeç, banues në fshatin Kallmet, Lezhë, me detyrë administrator i Njësisë Administartive Kallmet, Bashkia Lezhë, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:
1 armë zjarri pistoletë, me një krehër me 6 fishekë, e cila dyshohet se është përdorur nga shtetasi A. M., si dhe dy automjete.

Vijon puna për gjetjen e armës tjetër pistoletë, të përdorur gjatë konfliktit.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme. /Priza.al

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *