Është zbardhur raporti i Autoritet të Dosjeve. Kështu, 71 kandidatë për deputetë dhe kryetarë bashkie, kandidatë për funksione të rëndësishme dhe zyrtarë që kanë aplikuar për rritje në detyrë, kanë rezultuar me dosje si bashkëpunëtorë të ish Sigurimit të Shtetit, punonjës të ish Sigurimit dhe anëtarë të strukturave gjykuese në proceset politike të regjimit komunist. Nga viti 2017 deri në fund të vitit 2021, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, i njohur ndryshme si Komisioni i Dosjeve, ka verifikuar 2.189 kandidatë përpara zgjedhjes, emërimit dhe ngritjes në detyrë, nga të cilët 2.118 kanë rezultuar të pastër dhe 71 të lidhur me ish Sigurimin e Shtetit. Të dhënat reflektohen në raportin veprimtarisë së Komisionit për Hapjen e Dosjes për vitin 2021, ku ka bërë një bilanc edhe të punës 5-vjeçare. Nga 71 personat e identifikuar si të lidhur me ish Sigurimin e Shtetit, 13 tentuan të bëheshin pjesë e kupolës së drejtësisë, konkretisht në SPAK, BKH, KLP, KED, KLGJ, ILD, Prokurori etj.“Në total, që nga krijimi në 2017 enë mbyllje të vitit të pestë të punës,janë verifikuar gjithsej 2.189 kandidatë përpara emërimit/ngritjes në detyrë,si edhe kandidatë për t’u zgjedhur deputetë e kryetarë bashkish, ku 2.118 rezultojnë pa dokumente, ndërsa 71 kandidatë me dokumente ish-Sigurimit të Shtetit. Deri në fund të vitit 2021 janë paraqitur gjithsej 2185 kërkesa individuale, 459 kërkesa studimore mediatike dhe 876 kërkesa për qëllim dëmshpërblimi apo për vërtetim internim-dëbimi. 24 marrëveshje bashkëpunimi janë nënshkruar me partnerë brenda vendit dhe jashtë tij. Autoriteti mbylli vitin e pestë të funksionimit mes sfidash dhe arritjesh në veprimtarinë e për-ditshme: 65 mbledhje dhe 553 vendime, ngatë cilat 506 vendime unanime, 2 marrëveshje bashkëpunimi, 397 kandidatë apo zyrtarë të verifikuar në 95 kërkesa institucionale, 452 aplikime individuale”, thuhet në raport.
6 persona tentuan të bëhen pjesë e policisë
Ndërkohë, në raport bëhet me dije se 6 persona me dosje në ish- Sigurimin e Shtetit kanë aplikuar dhe garuar për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit. Sa i takon Kuvendit, deputetët e kanë përjashtuar veten me ligj nga verifikimit. Për deputetët verifikimi është me vullnet të lirë. Për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 vetëm 161 kandidatë nga katër parti politike kanë paraqitur kërkesën për verifikim. Nga verifikimi, 5 kandidatë kanë rezultuar me lidhje me ish- Sigurimin e Shtetit. Komisioni i Dosjeve nuk jep informacion nëse këto 5 kandidatë janë zgjedhur apo jo deputetë, por fakti që vetëm 161 kandidatë kanë kërkuar të verifikohen, nga 1841 kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 2021, gjasat janë që në Kuvendit aktual të ketë spiunë dhe anëtarë të ish Sigurimit të Shtetit./gazetasot