Prej 3 muajsh me radhë që nga hapja si një media e re, “Priza.al” ka sjellë ekskluzivisht me dëshmi, fakte dhe prova të pakontestueshme një megamashtrim që bëhet nga individë por edhe institucione financiare apo mikrokredishë me kreditë.
Me emra, audio, video dhe dikumente, “Priza.al” ka denoncuar skemën mashtruese që është ngritur nga një “fondacion rentier” me emrin “Fondi Besa”, duke kthyer në viktima disa dhjetëra mijëra persona në të gjithë Shqipërinë me marrje apo mosmarrje kredishë dhe mikrokredishë.
“Priza.al” jo vetëm ka denoncuar por edhe ka argumentuar dhe grumbulluar prova, mbi individë të caktuar që mashtrojnë duke vjedhur të dhëna personale, apo duke rekrutuar persona të tretë të painformuar, për të marrë kredi bankare, apo mikrokredi.
Në disa raste viktima janë bankat apo zyrat e mikrofinancave, por në disa raste janë vetë bankat e nivelit të dytë dhe institucionet mikrofinanciare ato që shkaktojnë viktima.
Megjithatë skema e mashtimit me dokumente false, si dhe ajo e sekserëve që “atashohen” pranë këtyre institucioneve për të sjellë klientë si “peshq”, është konfirmuar edhe sot nga Policia e Shtetit.
Në sajë të operacionit të koduar “Fraud 21”, dy persona janë vënë në pranga pasi merrnin kredi në subjekte financiare që japin mikrokredi, me dokumente të falsifikuara. Nga ana e policisë u bë ndalimi i shtetasve Sh. Rr., 25 vjeçe dhe L. A., 27 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Dy të rinjtë kishin krijuar një skemë mashtrimi, me anë të së cilës rekrutonin persona të ndryshëm kundrejt shpërblimit, duke i pajisur me dokumente të dyshuara të falsifikuara, për të bërë të mundur përfitimin e mikrokredive nga këto institucione financiare.
Mësohet se nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe vënien para drejtësisë edhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Fraud 21”. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Merrnin kredi në subjekte financiare që japin mikrokredi, me dokumente të falsifikuara, vihen në pranga 2 shtetas.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, zhvilluan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Fraud 21”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi i shtetasve Sh. Rr., 25 vjeçe dhe L. A., 27 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Këta shtetas kishin krijuar një skemë mashtrimi, me anë të së cilës rekrutonin persona të ndryshëm, kundrejt shpërblimit, duke i pajisur me dokumente të dyshuara të falsifikuara, për të bërë të mundur përfitimin e mikrokredive nga këto institucione financiare.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe vënien para drejtësisë edhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve”, “Mashtrimi” dhe “Mashtrim me kredi”.
/Priza.al/