Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Tiranës, Bledar Maksutin. Ai shfaqi probleme me të ardhurat dhe asetet e krijuara nga i ati i tij i ndjerë. Kjo situatë u evidentua nga KPK dhe vëzhguesja ndërkombëtare, Elka Ermenkova në seancën dëgjimore të zhvilluar më 9 prill.
“Më duket sikur kemi bërë vettingun e babait tuaj. Më vjen keq, se ai nuk është më,” tha në fund të seancës dëgjimore relatorja Genta Tafa Bungo.
Mësohet se Komisoni konstatoi pasaktësi në deklarime dhe mungesë burimesh për pasurinë e krijuar nga babai i Maksutit, i cili ishte ish-prokuror, noter dhe avokat. Maksuti u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin, por iu evidentuan probleme me deklarimin e pasurisë. Bledar Maksuti e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore dhe e ushtron funksionin e prokurorit prej vitit 2008.