Roveri Perseverance i NASA-s ka gjetur gurë në sipërfaqen e Marsit që përmbajnë molekula organike dhe të cilat, sipas ekspertëve të agjencisë amerikane të hapësirës, mund të jenë “një nënshkrim i mundshëm i jetës”, domethënë i atribuohen “një substance ose strukture që mund të dëshmojnë për ekzistencën e një jete të kaluar në planetin e kuq, por që mund të ishte prodhuar edhe pa pasur jetë”.
Perseverance, i mbiquajtur Percy, është një rover Mars me përmasa makine, i krijuar për të eksploruar Jezerokrater në Mars si pjesë e misionit Mars 2020 të NASA-s. Është prodhuar nga Jet Propulsion Laboratory dhe është nisur në 30 korrik të vitit 2020. Udhëheqësit e misionit njoftuan ditën e sotme lajmin në një konferencë për shtyp në internet, raporton ansa.it.
Molekulat organike, të gjetura nga roveri Perseverance në kraterin Jezero që po eksploron prej një viti, nuk janë molekula biologjike, por përmbajnë një sërë përbërjesh: kryesisht karbon, hidrogjen dhe oksigjen, por edhe azot, fosfor dhe squfur. Prandaj, ato janë molekula pararendëse, blloqe të mundshme ndërtuese të molekulave biologjike, por jo domosdoshmërisht të tilla. Ekspertët e Laboratorit Jet Propulsion të NASA-s, përgjegjës për aktivitetin e roverit Perseverance, saktësojnë se molekula të tilla mund të prodhohen nga procese kimike që nuk përfshijnë praninë e jetës.
Gurët e mbledhur në Mars që përmbajnë molekula organike janë 4 nga 12 gjithsej. Ato u mblodhën nga roveri i NASA në vitin e parë të aktivitetit në këtë planet. Gurët ende nuk janë sjellë në tokë. Për këtë do të ketë një mision të veçantë dhe është planifikuar të nisë në vitin 2027.