Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar në rrjetet sociale sa i takon operacionit të SPAK dhe DEA amerikan, ndërsa e quajti një punë të kryer shumë mirë nga policia, arrestimin e 10 personave pas operacionit të zhvilluar dy ditë më parë në Fier, ku u arrestuan 10 persona pas zbulimit të laboratorit të kokainës.
“Finalizimi me sukses i operacionit për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal në Fier, me 10 të arrestuar deri më tani dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të dyshuar si kokainë, është një tjetër punë e kryer shumë mirë nga policia e Shtetit. Profesionalizëm dhe integritet prej momenteve të para kur nisën hetimet dhe deri në goditjen e fundit. Asnjë kompromis me krimin dhe kujtdo që bëhet palë me të. Frontalisht përballë atyre që shkelin ligjin e mbjellin pasiguri. Përgëzime Policisë së Shtetit dhe veçanërisht efektivëve që morën pjesë në këtë operacion”, thuhet në reagimin e Çuçit.
Ndërkohë edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka folur dje në lidhje me aksionin që rezultoi në sekuestrimin e 430 kg kokainë në Fier, aksion në të cilin ishte protagoniste edhe policia malazeze. Kryeministri Abazoviç ka thanë se aksioni i djeshëm në të cilin janë konfiskuar 430 kilogramë kokainë është konfiskuar në bazë të konstatimeve dhe kontrolleve që janë bërë në Mal të Zi, ndërsa drejtor i Drejtorisë së Doganave dhe të Ardhurave ishte Rade Millosheviç.
Në korrik ka njoftuar kryeministrin, prokurorinë dhe policinë se fshihej një ngarkesë e dyshimtë, ishte kokainë dhe kërkoi një analizë të posaçme. Më pas u vendos bashkërisht që të kryhej një ngarkesë e kontrolluar, që prokuroria të marrë masat e veta, të informojë Shqipërinë sepse duhet të kishte shkuar kështu”, deklaroi kryeministri Abazoviç para gazetarëve, duke shtuar se: “Mali i Zi ka zbuluar në mënyrë jashtëzakonisht profesionale se policia shqiptare sapo ka shkuar në vendngjarje dje, ka pritur njerëz dhe ka bërë arrestime dhe konfiskim mallrash”.