Policia e Tiranës ka sekuestruar të paktën 300 kilogramë kokainë në magazinat e bananeve të një kompanie në kryqytet.
Sasia e drogës së sekuestruar në Tiranë në operacionin e udhëhequr nga SPAK ishte nisur nga Ekuadori dhe ka qëndruar për të paktën tre ditë në kontenierë në Portin e Durrësit, para se kompania zotëruese e bananeve ta tërhiqte atë.
Ka dyshimet se autorët kanë pritur periudhën e fundivitit për të futur në vend këtë sasi të madhe droge me shpresën dhe bindjen se kontrollet në pikat doganore do të zbehen për shkak të festave.
Por, dërgesa është vënë nën vëzhgim dhe nga ana e SPAK, pas informacioneve që Prokuroria e Posaçme ka siguruar nga partnerët ndërkombëtarë. SPAK nuk ndërhyu në port, për të zbuluar autorët që do ta tërhiqnin kontenierin.
Policia ka shoqëruar gjatë të gjithë kohës kamionin që transportonte drogën e fshehur në banane nga Durrësi për në një magazinë në zonën e Vaqarit dhe raportohet se kanë ndërhyrë në momentin që kamioni ka mbërritur në vendin e njohur si Ura e Beshirit.
/Priza.al/