Fushata elektorale për zgjedhjet e 25 prillit ka kohë që ka nisur, edhe pse jo zyrtarisht. Partitë janë në garë të ethshme për të rimarrë apo marrë pushtetin, ndërkohë që përdoren të gjithë mekanizmat e mundshëm për të rrëmbyer votat e qytetarëve.
Në këtë betejë, tre partitë e mëdha, PS, PD dhe LSI janë më të avantazhuara jo vetëm për shkak të fuqisë më të madhe ekonomike, por edhe për shkak të mundësive propagandistike. Duke i parë nga të gjitha rrugët që ndjekin këto parti, kryesisht, vërehen shkelje të forta të të drejtave të njeriut. Nis me shkeljen e privatësisë! Të treja janë të angazhuara në një mori planesh për të rrëmbyer me çdo kusht qytetarin, që nga kërcënimi me vendin e punës, tek përvetësimi i të dhënave personale, e deri tek përdorimi i qytetarëve në fushatë kundrejt një pagese cash.
“Priza.al” ka verifikuar një sërë mekanizmash që janë përdorur e vazhdojnë të përdoren me gjasë deri me 25 prill, ditën e votimit, mundësira që i lejon ‘kumbarët’ e fushatës të veprojnë edhe gjatë procesit të votimit!
Duke patur parasysh faktin se qytetarët janë të frikësuar, prokuroria është inekzistente në hetimin e kësaj batërdie parazgjedhore, një akt që është vënë re prej shumë vitesh, partitë nuk bëjnë pas nga asnjë lloj pengese që mund të hasin! Për pasojë qytetari shqiptar është në grackën e tyre, i pamundur t`i shmanget identifikimit paraprak!
Po cilat janë mënyrat e kësaj ‘pengmarrjeje’ masive?
Partia Demokratike
Hulumtimet e kryera nga “Priza.al” kanë treguar se Partia Demokratike ka nisur aplikimin e një metode ku përvetëson të dhënat e individëve me anë të numrave të telefonëve celularë! Aplikacioni mund të shkarkohet në App store. Përdoret nga një grup i caktuar personash. Zakonisht bëhet fjalë për drejtues grupseksionesh.
Përdoret për të zënë votues me anë të këtij aplikacioni. Duke patur parasysh se partitë janë zotëruese të listës së votuesve, në aplikacion kërkohet me numrin e celularit që ende nuk dihet se kush ua vë në dispozicion partive politike.
Ky përvetësim ndodh nga të gjitha partitë. Duke iu referuar listës së votuesve, gjendet kryefamiljari e për pasojë në listë i shfaqen edhe personat votues që janë në familje! Prej aty nis edhe ‘zënia’ e emrit të kryefamiljarit dhe e të gjithë personave të familjes së tij.
Aplikacioni është emërtuar “Blu”! jepet një link dhe nga aty hyhet me anë të numrit të celularit të personit! Nëse bëhet fjalë për person që e pranon të identifikohet vetë, atëherë shënohet edhe një e dhënë që lidhet me një kërkesë e individit, në të kundërt, nëse personi nuk kontaktohet për tu bërë vetë pjesë e këtij aplikacioni, poseduesit e plotësojnë vetë duke e bllokuar këtë votues dhe duke e quajtur votuesin e tyre! Nëse një votues është i bllokuar pa dijeninë e tij nga ky aplikacion, që mund të jetë edhe në një zonë tjetër zgjedhore, zotëruesi i kësaj zone ka mundësinë ta anulojë bllokimin duke të dërguar një kod personal bashkë me linkun aplikues. Nga aty qytetari mund të regjistrohet vetë!
Partia Socialiste
Në fakt mekanizmin e aplikacioneve të tilla e shpiku Partia Socialiste rreth dy vite më parë. Ishte risi kontrolli që i bëhej “like” dhe “share” profileve të ministrave. Nëpërmjet aplikacionit majtas.net, çdo përdorues kontrollohej se sa “like” dhe “share” kishte bërë për ministrin apo deputetin e caktuar.
Por përveç kësaj metode, Partia Socialiste, si parti në pushtet aplikon edhe metodën e shantazhit me vend pune. Jo vetëm të të punësuarit të tyre por edhe të familjarëve, për shkak të lidhjeve që kanë në një sërë sipërmarrjesh qoftë edhe private. Një prej akteve më të përfolura është marrja e kartave të identitetit të qytetarëve!
Në fakt, kjo përveçse është një shkelje e rëndë e të drejtës për mbrojtjen e të dhënave, ekziston mundësia që qytetarët të mos shkojnë fare në votime, dhe me kartën e tyre të votojnë poseduesit. Nga të dhëna të shumta bëhet me dije se prej shumë muajsh janë angazhuar në rang drejtorësh e deri edhe të punësuar që të grumbullojnë një numër të caktuar kartash identiteti në ditë.
Lëvizja Socialiste për Integrim
Kjo parti deri më tani nuk aplikon mekanizma të tillë. Ajo është shtrirë në terren duke rekrutuar njerëz të ndryshëm, kryesisht me një begraund të caktuar individual, të cilin e shfrytëzojnë për mbledhje votash. Këta individë marrin përsipër, lagjen, fisin apo edhe familjen. Shfrytëzojnë lidhjet dhe në bazë të premtimit të kandidatëve ose të koordinuesve arrijnë të pajtojnë me para kesh këta persona të cilët veprojnë në zonat për të cilat premtojnë. Përveç parave kesh, ata premtojnë vend pune konkrete për personat që bëhen pjesë e kësaj nisme duke hyrë kështu në spiralen e ‘kapjes’ së votës së tyre dhe të gjithë familjes së tyre.
Sikur të mos mjaftojnë grupet kriminale, të cilat janë thuajse të pranishme në çdo fushatë, në mbështetje të formacioneve politike të cilave iu përkasin, këto metoda jo vetëm minojnë të drejtën e qytetarit për të zgjedhur, por madje rrënojnë edhe principet bazë të demokracisë. Mos`hetimi i krimeve parazgjedhore që lidhen me shitblerjen e votës ka bërë që partitë të jenë zotër jo vetëm të qytetarëve shqiptarë por edhe e të drejtës së tyre themelore siç është e drejta për të zgjedhur!
Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016