Para pak ditësh, në ceremoninë e 67 të “Topit të Artë” të mbajtur në Paris, Leo Messi fitoi për herë të tetë trofeun më prestigjioz individual, “Topin e Artë”. Këtë herë, sfiduesi më i madh i argjentinasit ishte Erling Haaland që me Manchester Cityn fitoi trofetë më të rëndësishëm në nivel klubesh si dhe ishte golashënuesi më i mirë në Europë.
Megjithatë, suksesi në Kupën e Botës e ndihmoi jashtëzakonisht Messin në garën për “Topin e Artë” dhe mund të thuhet se ishte pikërisht ky trofe që bëri diferencën në votime. Së fundmi, janë publikuar edhe votat për secilin prej lojtarëve teksa Messi ka fituar me një diferencë prej 105 pikëve ndaj Haaland.
Sulmuesi që aktualisht është pjesë e Inter Miami në Amerikë grumbulloi 462 pikë ndërsa norvegjezi mbeti në kuotën e 357 pikëve. Ndërkaq, janë zbuluar edhe se si kanë votuar secili prej gazetarëve të çdo shteti teksa në Shqipëri, Besnik Dizdari me pikët maksimale ka votuar Lionel Messin ndërsa në vend të dytë, Erling Haaland. Pesëshja e Dizdarit plotësohet më pas me Kylian Mbappe, Julian Alvarez dhe Rodri.