Është bërë me dije programi i cili do të moderohet nga ish-deputetja Grida Duma. Bëhet fjalë për emisionin që dikur drejtohej nga Sokol Balla “Top Story”. Lajmin e ka bërë me dije producentja e Top Channel, Lori Hoxha, me anë të një fotoje në ‘Instastory’.
Grida Duma e zhveshur nga petku i politikanës do të vijë për publikun shqiptar në rolin e moderatores këtë të hënë.
Rikujtojmë se, tre ditë më parë deputetja e Partisë Demokratike në qarkun e Tiranës, Grida Duma dorëzoi mandatin që mori një vit më parë në zgjedhjet e 25 prillit. Nëpërmjet një konference për shtyp nga ambientet e kryesisë së Kuvendit, Duma komunikoi vendimin e saj, duke e cilësuar si një nga momentet më të vështira, por edhe më të rëndësishmet.
“Pak çaste më parë kam dorëzuar formalisht dhe zyrtarisht shkresën për lënien e mandatit të deputetes. Pas një reflektimi të gjatë, për të bërë të ditur për partinë time dhe votuesit që përfaqësoj, ky është vendimi i duhur. Mendoj se në politikë fatet individuale vlejnë të konsiderohen dhe rimendohen vetëm kur shkojnë në një kah me fatet e njerëzve që përfaqësojmë. Më kanë goditur personalisht, jam sulmuar nga hienat. Kurrë e kundërta, megjithëse është bërë. Fati i njerëzve që përfaqësoj është misioni që zgjodha. Më e thjeshta do të ishte që të kisha qëndruar”,- u shpreh Duma në fjalën e saj të dorëheqjes.