Një laborator droge është gjetur në qytetin e Lushnjes, ku tre persona e kishin shndërruar në një hapësirë të kultivimit dhe rritjes së drogës në një banesë. Uniformat blu kanë bërë arrestimin e Fiqiri Dedejt, 53 vjeç, banues në Dushk, Kreshnik Ibraliut, 30 vjeç, Klevis Likjat, 38 vjeç, të dy këta të fundit banues në Lushnjë.
Të tre këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin përshtatur katin e parë dhe katin e tretë të banesës së Fiqiri Dedejt, me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike. Mësohet se gjatë kontrollit të banesës u gjetën 170 fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, të kultivuar në kushte laboratorike. Gjithashtu, burime zyrtare nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se në këtë është konstatuar një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.
Pas kontrollit në shtëpinë e Dedejt u gjetën pajisje elektrike, llamba elektrike termale, bidonë me lëndë ushqyese për bimët narkotike, kapikorta (pajisje me të cilat ishte bërë lidhja e paligjshme e energjisë elektrike), të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Ndaj të arrestuarve rëndojnë akuzat për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.