“OLD BUT GOLD”, NGA ROLAND QAFOKU
SHBA dhe Britania e Madhe cilësoheshin gjatë regjimit komunist nga Enver Hoxha si dy armiqtë kryesorë të Shqipërisë. Por është fakt që menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore nuk kanë rreshtur përpjekjet e tij duke kërkuar që këto dy shtete ta njihnin qeverinë e kryesuar prej tij. Në asnjë libër me autorësinë e Hoxhës dhe në asnjë libër të historisë zyrtare gjatë komunizmit, nuk është përmendur që ai kishte krijuar korrespodencë me liderët e këtyre dy vendeve. Sot ekskluzivisht për priza.al po publikojmë pas 78 vjetësh një letër të rrallë që diktatori Hoxha i kishte dërguar presidentin amerikan Franklin Roosevelt, kryeministrit të Britanisë Winston Churcill dhe bashkë me ta edhe Josif Stalinit me të cilin konsiderohej aleat. Letra mban datën e 29 marsit 1945 dhe ndonëse me fjalë diplomatike, Hoxha shpreh në të pakënaqësinë e madhe që Shqipëria nuk ishte ftuar në Konferencën e San Franciskos, i pari takim pas Luftës së Dytë Botërore mes shteteve që luftuan ndaj boshtit të së keqes Gjermani-Itali-Japoni. E shkruar në frëngjisht, gjuhën që Hoxha njihte pas studimeve të pjesshme në Francë dhe Belgjikë, letra paraqet njëkohësisht dhe kërkesën që Shqipëria të ftohej në këtë konferencë që do mbahej tre muaj më pas. Hoxha shpreh në të edhe arsyet e mëdha përse Shqipëria duhet të ishte ftuar, teksa për shumë shtete të tjera ftesa kishte mbërritur. Shkruante Hoxha në letër:
“Ndër shtetet që luftuan përkrah Kombeve të Bashkuara për të përmbysur Gjermaninë hitleriane, Shqipëria zë një vend të rëndësishëm falë luftës së parreshtur që bëri kundër armikut të përbashkët dhe falë sukseseve që kurorëzuan përpjekjet dhe sakrificat e saj të panumërta”.
Madje Hoxha i kujton Roosevelt dhe Churchill që shtete të tjera që nuk kishin luftuar fare kundër ushtrive të bushtit ishin ftuar dhe po bënin përgatitje për këtë konferencë. Por letra pati fat të keq. Shqipëria jo vetëm nuk u ftua, por presidenti Franklin Roosvelt dhe kryeministri Winston Churchill nuk i kthyen as përgjigje kryeministrit të ri të Shqipërisë që sapo ishte instaluar komunizmin.
Konferenca u mbajt më 26 qershor 1945 në San Francisko të Kalifornisë dhe në të morën pjesë përfaqësues nga 50 shtete të botës. Ajo u mblodh menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe kishte si qëllim vendosjen e paqes në botë duke e cilësuar Lidhjen e Kombeve të dështuar. Në këtë mënyrë, Shqipëria nuk mori pjesë dhe kjo shënohej si një nga dështimet e qeverisë së sapo krijuar të Hoxhës. Në fakt, mungesa e ftesës ishte më shumë një shuplakë për Enver Hoxhën dhe se SHBA nuk po e njihte qeverinë e kryesuar prej tij. I vetmi aleat i madh i Hoxhës në këto momente ishte Rusia, përfaqësuesit e të cilës ishin ulur këmbëkryq në Tiranë dhe Shqipëria ishte pjesë e hemisferës lindore komuniste. Kjo ishte vendosur në Konferencës e Jaltës në Krime në muajin shkurt 1945 dhe vendimin ishte marrë mes tre të mëdhenjve Franklin Roosevelt, Winston Churchill dhe Josif Stalin. Pikërisht pse Shqipëria ishte pjesë e ndikimit rus, Hoxha ka vendosur në letër Stalinin të parin dhe pas tij Roosevelt dhe Churchill. Por ajo që e shqetësonte kryeministrin Enver Hoxha lidhej me njohjen zyrtare që SHBA dhe Britania nuk e kishin bërë qeverisë së tij, ndryshe nga Rusia që e njohur menjëherë. Mospjesmarrjea në Konferencën e San Franciskos ishte një sebep që Hoxha të shprehte pakënaqësinë ndaj këtyre dy shteteve. Dhe kjo kuptohet në rreshtat e mëposhtëm në të cilët Hoxha “sqaron” se kjo ftesë i takon qeverisë së kryesuar prej tij. Shkruante Hoxha në letër:
“Kjo është një arsye më shumë, e cila dëshmon se pjesëmarrja në Konferencën e San Franciskos i përket me të drejtë Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, e cila është shprehja e gjallë e popullit tonë heroik, e cila meriton nga çdo këndvështrim të japë edhe kontributin e tij për zgjidhjen të çështjeve që kanë të bëjnë me paqen e ardhshme të popujve, ashtu siç nuk hezitoi në kohë lufte të derdh gjakun e tij për çështjen e përbashkët”.
Kryeministri shqiptar ia bëri të ditur këtë letër edhe komisionerit Joseph Jacobs, që mbërriti në Tiranë më 10 prill 1945 për të drejtuar misionin diplomatik amerikan në Tiranë. Por kalvari i debateve dhe mosmarrëveshjeve mes Hoxhës dhe Jacobs do arrinte deri aty sa SHBA të merrnin vendimin e fortë që të mos rivendosnin marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë. Amerikanët kishin vetëm një kusht; njohjen e të gjitha marrëveshjeve mes SHBA dhe Shqipërisë. Por Hoxha pa asnjë politesë edhe pa diplomaci gënjeu për një vit diplomatët amerikanë duk i lënë në pritje. Ndodhur në këtë situatë SHBA mori vendimin ekstrem për tërheqjen e misionit nga Shqipëria dhe ne u bëmë vendi i parë i Lindjes komuniste me të cilin ata nuk vendosën kurrë marrëdhënie diplomatike.
Më poshtë teksti i plotë i letrës orgjinale të Enver Hoxhës në frëngjisht dhe përkthimi në shqip.
Tirana, le 29 mars 1945
A son excellence
Le marechal Stalin, Moscou
Le president Franklin D. Roosevelt, Washington
Winston Churchill, Preëmier Ministre, Londres
Excellence,
En exprimant le desir profonde et la volonte du Peuple Albanias, et au nom du Guvernement Democratique d’ Albanie, j’ai l’honneur de signaler a Votre Excellence le fait qu’aucune invitation n’a ete encore addressee jusqu aujourd’hui au Gouvernment Democratique de l’ Albanie pour prendre part a la Conference de San Francisco. Parmi les Etats qui ont combattu a cote des Nations Unies pour abattre l’ Allemagne Hitlerienne, l’ Albanie occupe une place importante grace a la lutte incessante qu’elle a livree contre l’ennemi comun et grace aux success qui ont couronne ses innombrables efforts et sacrifices. Je constate avec regret que d’ autres Etate, lesquels n’ont fourni aucune contribution a cette guerre, ont ete de ja invites et se preparent a envoyer leurs delegations a San Francisco. C’est une raison de plus, qui prouve que la participation a la Conference de San Francisco revient de droit au Gouvernement Democratique de l’Albanie, lequel est d’expression vivante de notre peuple heroique, qui merite a tout point de vue de fournir egalement sa contribution au reglement des questions concernant la paix future des peuples tout comme il n’a pas hesite en temps de guerre a verser son sang pour la cause commune.
Dans l’espoir que les dispositions necessaires seront donness afin que l’Albanie soit invite a ladite Conference, je prie Votre Excellence de vouloir bien agreer les assurances de ma plus haute consideration.
Le president du conseil du Gouvernement Democratique de l’Albanie
General-Colonel Enver Hoxha
(Përkthimi në shqip)
Tiranë, 29 mars 1945
Për Shkëlqesinë e tij
Marshall Stalin, Moskë
Presidenti Franklin D. Roosevelt, Washington
Winston Churchill, Kryeministër, Londër
Duke shprehur dëshirën dhe vullnetin e thellë të popullit shqiptar dhe në emër të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, kam nderin të informoj Shkëlqesinë Juaj se Qeverisë Demokratike të Shqipërisë nuk i është bërë asnjë ftesë për të marrë pjesë në Konferencën e San Franciskos. Ndër shtetet që luftuan përkrah Kombeve të Bashkuara për të përmbysur Gjermaninë hitleriane, Shqipëria zë një vend të rëndësishëm falë luftës së parreshtur që bëri kundër armikut të përbashkët dhe falë sukseseve që kurorëzuan përpjekjet dhe sakrificat e saj të panumërta. Vërej me keqardhje se shtetet e tjera, të cilat nuk kanë dhënë asnjë kontribut në këtë luftë, tashmë janë ftuar dhe po përgatiten të dërgojnë delegacionet e tyre në San Francisko. Kjo është një arsye më shumë, e cila dëshmon se pjesëmarrja në Konferencën e San Franciskos i përket me të drejtë Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, e cila është shprehja e gjallë e popullit tonë heroik, e cila meriton nga çdo këndvështrim të japë edhe kontributin e tij për zgjidhjen të çështjeve që kanë të bëjnë me paqen e ardhshme të popujve, ashtu siç nuk hezitoi në kohë lufte të derdh gjakun e tij për çështjen e përbashkët.
Me shpresën se do të bëhen masat e nevojshme që Shqipëria të ftohet në Konferencën në fjalë, i lutem Shkëlqesisë suaj të pranoni sigurimet e konsideratës sime më të lartë.
Kryetar i Këshillit të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë
Gjeneral-Kolonel Enver Hoxha
Diciturat:
- Letra orgjinale e kryeministrit të Shqipërisë Enver Hoxha dërguar më 29 mars 1945 presidenti amerikan Franklin Roosevelt, kryeministrit të Britanisë Winston Churchill dhe marshallit të Bashkimit Sovjetik Josif Stalin.
2,3. Enver Hoxha, kryetar i Këshillit të Ministrave, ministër i Jashtëm dhe ministër i Mbrojtjes të Shqipërisë.
- Presidenti amerikan Franklin Roosevelt, kryeministri i Britanisë Winston Churchill dhe kryeministri i Bashkimit Sovjetik Josif Stalin, gjatë punimeve të Konferencës së Jaltës, Krime, BRSS.
* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*