Tre persona kanë rënë në prangat e policisë spanjolle, pasi këta të fundit zbuluan një parcelë me kanabis. Raportohet se tre të arrestuarit janë me origjinë shqiptare dhe serbe.
Operacioni i koduar “Tabacu Tormo” u zhvillua në një zonë me terren të vështirë midis dy qyteteve, Cardenete dhe Enguidanos.
Sipas mediave spanjolle, autoritetet zbuluan plantacionin ku ishin mbjellë 2300 rrënjë kanabisi, ndërsa pranë një godine, u zbuluan edhe disa thasë me fara të bimës narkotike.
Ka qenë një gjuetar i cili ka zbuluar aktivitetin e paligjshëm të 3 të arrestuarve në gusht të këtij viti. Teksa lëvizte në zonë, gjuetari ka pikasur dy prej të rinjve, të cilët i kanë ngjallur dyshime se mund të kryenin aktivitet të paligjshëm. Ai ka njoftuar autoritetet përkatëse, të cilët nisën menjëherë mbikëqyrjen e zonës dhe të tre personave.
Efektivët e Gardës Civile dhe Policisë zbuluan dhe disa pellgje artificiale të cilat lidheshin me një lum, duke e çuar ujin deri në plantacionin e kanabisit duke mundësuar kështu ujitjen e bimëve. Gjithashtu në një zonë të pyllëzuar, u gjet edhe një kamp i improvizuar ku qëndronin 3 të rinjtë dhe vëzhgonin plantacionin e kanabisit.
Ndërkohë, mediat spanjolle kanë raportuar se vlera e përllogaritur e marijuanës së sekuestruar, arrinte deri në 40 mln euro.