Zbulohet “Shtëpi bari” në Kurbin/ Arrestohet 47-vjeçari

Një 47 vjeçar është arrestuar ditën e sotme nga policia e Kurbinit  pasi u zbulua se kishte përshtatur banesën për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave.

Operacioni policor i koduar “Heat”, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Lezhë dhe punonjësit e OSHEE-së kanë sekuestruar pajisje elektrike që do të shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave si dhe është konstatuar se pronari i banesës kishte kryer lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Njoftim i policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Lezhë dhe me punonjësit e OSHEE-së, në kuadër të masave të marra për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, si dhe për evidentimin e rasteve të abuzimit me lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike, bazuar në informacionet policore, kanë ushtruar kontroll në një banesë në fshatin Shpërdhet, Njësia Administrative Mamurras, rrethi Kurbin.

Gjatë kontrollit, në banesën e shtetasit L. N. është konstatuar lidhje e paligjshme e energjisë elektrike. Në ambientet e brendshme të banesës, u evidentua një dhomë, brenda së cilës kishte instalime elektrike me llamba, aspiratorë dhe tubacione uji, që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.

Në vijim të operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit L. N., 47 vjeç, banues në fshatin Shpërdhet.

Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale pajisje elektrike dhe hidraulike që dyshohet se shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme.

/Priza.al

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *