Zbulohet vendimi! Gjykata e Lartë vendos në favor të Saimir Tahirit

Gjykata e Lartë ka kthyer çështjen e Saimir Tahirit në Apelin e GJKKO. Tashmë Tahiri do të rigjykohet nga Shkalla e Dytë, e cila do të marrë një vendim përfundimtar. Në fakt kjo ishte dhe kërkesa e vetë ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit.

Gjykata e Lartë vendosi që këtë herë çështjen ta drejtojë një tjetër trupë gjykuese, duke miratuar kërkesën e avokatit të Tahirit, Maksim Haxhia.

Nga ana tjetër Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e ish-drejtorit të Policisë Vlorë, Jaeld Çela për t’u liruar.

Gjatë seancës së sotme, SPAK kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Apelit dhe rigjykimin e dy ish-zyrtarëve, ndërsa këta të fundit kërkuan pafajësi, ose rikthimin e çështjes në Gjykatën e Apelit dhe rigjykim në Apel.

Kujtojmë se Saimir Tahiri u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda për “shpërdorim detyre” me 3 vite shërbim prove, ndërsa më vonë Apeli i Posaçëm e prishi vendimin dhe e ktheu për rigjykim në Shkallën e Parë. Më pas ish-ministri bëri rekurs dhe dhoma e këshillimit e Gjykatës së Lartë.

NJOFTIM PËR MEDIAN

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në datën 28.09.2021, ka marrë në shqyrtim, në seancë gjyqësore, çështjen me palë; Dorëzues Rekursi: S.T. dhe J. Ç. dhe Kërkuese: Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, me vendimin nr. 60, datë 19/09/2019, ka vendosur:

– Deklarimin fajtor të të pandehurit S.T. për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim. Në bazë të nenit 406, paragrafi i parë, të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit S.T., për shkak të gjykimit të shkurtuar, i ulet një e treta e dënimit me burgim dhe dënohet përfundimisht me 3 (tre) vjet e 4 (katër) muaj burgim. Bazuar në nenin 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i vuajtjes së dënimit me burgim për të pandehurin S.T. dhe vënien e tij në provë për një afat prej 3 (tre) vjet, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale, duke urdhëruar që i pandehuri të mbajë kontakte me shërbimin e provës. Heqjen e të drejtës të pandehurit S.T. për të ushtruar funksione publike, për një kohë prej 3 (tre) vjet, bazuar në nenin 35 paragrafi i dytë të Kodit Penal.

– Deklarimin fajtor të të pandehurit J.Ç. për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe dënimin e ti j me 5 (pesë) vjet burgim. Në bazë të nenit 406 paragrafi i parë të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit J.Ç., për shkak të gjykimit të shkurtuar, i ulet një e treta e dënimit me burgim dhe dënohet përfundimisht me 3 (tre) vjet e 4 (katër) muaj burgim. Heqjen e të drejtës të pandehurit J.Ç. për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 3 (tre) vjet. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka vendosur deklarimin e pafajshëm të të pandehurve të mësipërm për veprat penale të Trafikimit të narkotikëve, në bashkëpunim, dhe të Grupit të strukturuar kriminal.

Pas ankimit të ushtruar nga prokuroria dhe të pandehurit, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 16, datë 26.6.2020, ka vendosur:

– Prishjen e vendimit nr. 60, datë 19/09/2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, aktualisht Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe dërgimin e akteve në atë gjykatë, një trupe tjetër gjykuese.

Pasi e shqyrtoi çështjen ne tërësi dhe dëgjoi parashtrimet dhe kërkesat e prokurorit dhe avokatëve të të pandehurve, Kolegji Penal i Gjykatës, vërejti se:

Çështja e përbërjes së rregullt të trupit gjykues është çështje thelbësore e parimit të gjykatës së caktuar me ligj si pjesë e procesit të rregullt ligjor. Gjyqtari, që në bazë të Kodit të Procedurës Penale ka shkaqe papajtueshmërie sipas nenit 15 të këtij Kodi, nuk mund të jetë pjesë e një trupe gjyqësore e cila mund të japë një vendim të konsideruar të ligjshëm.

Cilësimi i ndryshëm ligjor i fakteve për të cilat akuzohen të pandehurit mund të kryhet nga gjykata me vendimin përfundimtar, aq më tepër kur ai nuk është një cilësim juridik më i rëndë.

Kolegji vërejti se nuk ka patur mosrespektim të dispozitave për ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori dhe pjesëmarrjen e tij në procedim.

Pretendimet e tjera, në rekurset e paraqitura nga të gjykuarit, që kanë të bëjnë me vlerësimin e provave të paraqitura nga prokuroria në kërkesën për gjykim Kolegji konsideron se analiza dhe çmuarja e provave është atribut i gjykatave të faktit dhe si të tilla nuk janë objekt i shqyrtimit në Gjykatën e Lartë; aq më tepër që çështja në shqyrtim është zhvilluar me procedurën e gjykimit të shkurtuar, çka do të thotë se palët në gjykim kanë qenë dakord me aktet e fashikullit hetimor të prokurorit.

Përsa i përket kërkesës së të gjykuarit J.Ç., për zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, Kolegji vëren se masa e sigurimit si e tillë është trajtuar në Gjykatën e Lartë dhe, me Vendimin nr. 218, datë 03.07.2020, është vendosur mospranimi i rekursit të paraqitur kundër vendimit nr. 18 akti, datë 19.05.2020, të Gjykatës se Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Kërkesa e të gjykuarit J.Ç., që pretendonte veprime procedurale për marrjen e provave, siç është caktimi i një eksperti ose grupi ekspertësh mjekoligjorë për të verifikuar diagnozat mjekësore, vlerësohet si një kërkesë e papranueshme për sa kohë që Gjykata e Lartë nuk është një gjykatë fakti por është gjykatë ligji. Duke vërejtur mos ndryshimin e kushteve, kritereve dhe nevojave të sigurimit për të cilat është vendosur masa e sigurimit “Arrest në burg”, duke e shqyrtuar në referencë të Kodit të Procedurës Penale, Kolegji nuk mund ta pranonte kërkesën.

Nga sa më sipër, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi: 1. Prishjen e Vendimit nr. 16, datë 26.6.2020, të Gjykata së Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë me tjetër trup gjykues. 2. Rrëzimin e kërkesës së të gjykuarit J.Ç., për zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”.

/Priza.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *