Rasti i vjedhjes së shtëpisë së ish-zyrtares së lartë nga sanitarja dhe paratë e gjetura, mbi 520 mijë Euro në shtëpinë e sanitares, është kryefjalë e mediave ditët e fundit.
Në emisionin “Opinion” në Tv Klan është zbardhur me detaje dëshmia e vajzës së mitur të ish-zyrtares së lartë në administratë, Alda Klosit e cila ka pranuar se sanitarja dhe i biri i saj, Rozeta e Havier Dobi i kanë vjedhur në shtëpi 120 mijë Euro kesh dhe sende me vlerë.
Ka qenë vajza e Alda Klosit ajo që ka konstatuar vjedhjen në shtëpinë e saj në “Rrugën e Kosovarëve” ku ka parë se dera ishte e hapur, rafti në dhomën e gjumit ishte i hapur dhe të gjitha rrobat ishin të hedhura përtokë. Referuar dëshmisë së vajzës së Alda Klosit, ajo ka telefonuar menjëherë mamanë e saj, ish-zyrtaren Alda Klosin për t’i treguar mbi situatën.
Dëshmia e vajzës së Alda Klosit:
Rreth orës 7:30 kam shkuar në shkollën “Sami Frashëri”, ku jam nxënëse në vitin e parë. Kam qëndruar në shkollë deri në orën 11:30.
Më pas jam ulur tek “X hotel” që ndodhej tek “Rruga e Barrikadave” ku kam pirë kafe nën shoqërinë e klasës.
Rreth orës 13:50 kam shkuar tek zyra e nënës, Alda Klosi tek zona e Gardës ku kam qëndruar vetëm për disa minuta dhe më pas në këmbë kam shkuar tek shtëpia në “Rrugën e Kosovarëve”.
Në momentin që kam qenë tek banesa, kam konstatuar se dera ishte pak e hapur. Jam futur në shtëpi dhe kam konstatuar se pjesa e kuzhinës ishte në regull dhe më pas jam futur në dhomën e gjumit ku kam konstatuar se rafti ishte i hapur dhe të gjitha rrobat ishin të hedhura në tokë. Pas kësaj, menjëherë kam telefonuar mamanë dhe i kam treguar për këtë situatë.
Blendi Fevziu thotë se referuar dëshmive të personave të pyetur të pallatit, vajza e Alda Klosit është parë duke qarë tek trotuari në pritje të mbërritjes të së ëmës. Ka qenë ky momenti kur persona të tjerë kanë telefonuar Policinë për të qetësuar atë.
Blendi Fevziu: Personat e tjerë të pyetur të pallatit, e kanë parë vajzën që qante e ulur tek trotuari në pritje të mbërritjes së nënës. Pra, në momentin që ka konstatuar vjedhje, ka dalë nga shtëpia dhe ka pritur nënën e saj duke qarë. Ka qenë ky momenti kur persona të tjerë kanë telefonuar Policinë për të qetësuar atë.
Por për 400 mijë Euro të tjera ka ende paqartësi se kujt i përkasin. Alda Klosi, e cila e denoncoi vjedhjen, thotë se në sendet e gjetura në shtëpinë e Rozeta dhe Havier Dobit, mes të cilave aksesorë të markave të njohura, si një orë Maserati apo një çantë dhe një portofol Valentino, ka parë edhe bizhuteri që përkisnin nënës dhe një mikes së saj që kishte punësuar Rozetën.
Dëshmia e Alda Klosit:
“Ditën e ngjarjes më janë vjedhur më shumë se 120.000 euro, të cilat kanë qenë në prerje 500 dhe 200, si dhe një shumë prej 30.000 Dollarë të cilat kanë qenë prerje 100. Këto para i kisha të xhaxhait dhe nuses së xhaxhait të saj i cili ia ka lënë për të kompletuar shtëpinë e tyre dhe për nevoja të tyre pasi xhaxhain e ka të sëmurë me kancer dhe për çdo nevojë që do të kishte, pasi djali i tyre është me probleme dhe këto lekë janë të mbledhura ndër vite nga ana e tyre pasi jetojnë në Amerikë dhe në këtë kohë ai po kurohet në Amerikë”./opinion.al