Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të lehtësojnë dialogun mes Shkupit dhe Sofjes për zgjidhjen e kontestit për çështjet historike, identitetin, gjuhën maqedonase si dhe të drejtat e pakicës bullgare që jeton në Maqedoninë e Veriut.
Kështu deklaroi zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, gjatë një interviste për agjencinë shtetërore të lajmeve në Maqedoninë e Veriut, MIA.
Ai tha se SHBA-ja po zhvillon bisedime me Shkupin dhe Sofjen për të zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe, por Price nuk dha detaje nëse palët janë pranë arritjes së një zgjidhjeje të pranueshme.
“Shtetet e Bashkuara janë një mbështetëse e fuqishëm e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, deklaroi Price dhe shtoi se Uashingtoni beson se tani është koha që gjërat të ecin përpara dhe të dy vendet të fillojnë procesin e anëtarësimit në bllokun evropian.
“Marrëveshja historike e Prespës [mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë për ndryshimin e emrit të shtetit] tregoi se vendet e Ballkanit Perëndimor janë të afta të bëjnë gjëra të vështira, të bëjnë kompromise dhe të gjejnë zgjidhje dhe ne jemi të bindur se Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut do të bëjnë të njëjtën gjë duke negociuar mosmarrëveshjet e tyre dypalëshe. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për të zgjidhur shpejt këto mosmarrëveshje, por ne padyshim që nuk po hyjmë në detajet e atyre bisedimeve”, tha Price.
Presidenti bullgar, Rumen Radev, të mërkurën, më 4 maj, deklaroi se “Sofja zyrtare po përballet me presion nga partnerët euroatlantikë për arritjen e një marrëveshjeje me Maqedoninë e Veriut që do të çonte në heqjen e vetos bullgare”.
Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, në nëntor të vitit 2020 ka përdorur veton për të bllokuar Maqedoninë e Veriut për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian. Sofja konteston gjuhën dhe identitetin maqedonas duke kërkuar nga Shkupi që të pranojë “rrënjët bullgare” në identitetin e tyre. Bullgaria gjithashtu kërkon respektimin e të drejtave të bullgarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar përfshirjen e tyre në kushtetutën e këtij vendi, si popull shtetformues./REL/