Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e KQZ-së Drilona Hoxhaj ka garantuar se nuk ka pasur asnjë problematike në shpërndarjen e materialeve të votimit. Ajo shtoi më tej së ka pasur qendra votimi që nuk kanë qënë të pajisura me operatorë, por s’ka asnjë problematikë me procesin e votimit.
Hoxhaj deklaroi se në disa qendra votimi, ka patur problematika lidhur me pajisjet e identifikimit biometrik. Sipas zëdhënëses së KQZ-së, problematika ka qenë e lidhur me përdorimin e pajisjes elektronike, duke theksuar se disa komisionerë nuk kanë marrë pjesë në trajnime.
“Ka patur disa qendra që nuk kanë qenë të pajisura me operatorë. Këto janë zona të thella, ku infrastruktura ka qenë e vështirë. Duke pasur parasysh që procesi është në dinamikë, ka pasur disa problematika në qendra votimi. 230 qendra votimi ka pasur problematike për shkak të presioneve, por edhe të mos trajnimeve, problematike në përdorimin e pajisjes elektronike. Po merren masa që këto problematika të zgjidhen dhe qytetarët të votojnë lirshëm.
Në ato qendra votimi ku është pezulluar puna, ka qenë për shkak të përdorimit të pajisjes elektronike. Këto problematika janë të zgjidhshme.
Identifikimi elektronik zhvillohet për herë të parë në gjithë vendin. Presioni dhe përgjegjësia e lartë ndikon në stepjen e tyre, apo problematikat që kanë.
Janë rreth 100 qendra votimi që nuk kanë qenë të pajisura me operatorë, sepse janë në zona të thella dhe procesi është zhvilluar manualisht”, tha Hoxhaj.