Zelanda e Re ka raportuar atë që beson se është vdekja e saj e parë e lidhur me vaksinën Pfizer.
Një bord i pavarur i monitorimit të sigurisë së vaksinave tha se vdekja e gruas ishte “ndoshta” për shkak të miokarditit ose inflamacionit të muskujve të zemrës, që mund të ketë ndodhur për shkak të vaksinimit.
Sipas këtij bordi, kishte çështje të tjera mjekësore që mund të kishin “ndikuar në rezultatin pas vaksinimit”. Megjithatë, shkaku zyrtar i vdekjes ende nuk është përcaktuar.
Rregullatorët evropianë thonë se miokarditi është një efekt anësor “shumë i rrallë” dhe se përfitimet e vaksinës tejkalojnë rreziqet.
“Ky është rasti i parë në Zelandën e Re ku një vdekje, në ditët pas vaksinimit, është lidhur me vaksinën Pfizer, COVID-19. Ndërsa Qendra për Monitorimin e Reagimeve Anësore ka marrë raporte të tjera të vdekjeve, kohët e fundit, asnjë nuk konsiderohet i lidhur ndaj vaksinimit”, thuhej në një deklaratë.
Vdekja e gruas është duke u hetuar më tej, ndërkohë që pritet vlerësimi nga mjeku ligjor. Zyrtarët nuk kanë dhënë detaje të tjera, përfshirë moshën e gruas.
Agjencia Evropiane e Barnave ka theksuar miokarditin si një efekt anësor “shumë të rrallë” të vaksinave Covid të bëra nga Pfizer dhe Moderna, duke shtuar se efektet anësore ishin më të zakonshme te meshkujt e rinj.
EMA u ka bërë thirrje njerëzve që të vazhdojnë të vaksinohen, pasi ato ndihmojnë që njerëzit të mos sëmuren shumë me Covid-19.
Simptomat e miokarditit mund të përfshijnë dhimbje në gjoks, gulçim dhe rrahje jonormale të zemrës.
Ekspertët po i bëjnë thirrje kujtdo që përjeton këto simptoma në ditët pas vaksinimit që të kërkojnë menjëherë kujdes mjekësor.
Të hënën zyrtarët e Zelandës së Re thanë se “mbeten të sigurt për përdorimin e tij në Zelandën e Re”.
Sipas Universitetit Johns Hopkins, vendi ka parë 3465 raste Covid dhe 26 vdekje deri më tani.
Zelanda e Re fillimisht u vlerësua për trajtimin e virusit, por që atëherë ka parë një përhapje të ngadaltë të vaksinave edhe pse është rritur në ditët e fundit.
Janë administruar më shumë se tre milionë doza vaksinash, dhe 23% e popullsisë tani është plotësisht e vaksinuar.
Një rritje e fundit në rastet e Covid, që i atribuohet variantit Delta, ka vënë pjesë të mëdha të vendit në bllokim. Aktualisht, ka më shumë se 560 raste në vendin me rreth 5 milionë banorë.
/Burimi: NBC/ Përshtati Priza.al/