Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se zyrtarët rusë kanë nisur “të përgatisin shoqërinë e tyre” për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore, por shtoi se ai nuk beson se Rusia është e gatshme t’i përdorë ato.
Në një intervistë për transmetuesin publik britanik, BBC, Zelensky tha se nuk ka bërë thirrje për sulme në Rusi, duke pretenduar se deklaratat e mëhershme të tij, janë përkthyer keq.
“Duhet të përdorni goditje parandaluese”, tha ai duke iu referuar sanksioneve, “e jo sulmeve”. Zelensky tha se bota duhet ndërmarrë veprime tani, pasi kërcënimet ruse paraqesin “rrezik për gjithë planetin”.
Në javët e fundit, ushtria ukrainase ka rimarrë kontrollin e territoreve të mëdha gjatë një kundërofensive, që ka detyruar trupat ruse të tërhiqen nga pozicionet që i kanë mbajtur. Pas humbjeve, Rusia mbajti referendume të rreme në katër rajone ruse, dhe më pas presidenti rus, Vladimir Putin, aneksoi paligjshëm ato. S
hpallja e aneksimit nga Rusia të rajoneve ukrainase të Donjeckut, Luhanskut, Hersonit dhe Zaporizhjës, gjerësisht është dënuar nga komuniteti ndërkombëtar dhe është parë si një përshkallëzim i madh i luftës. Presidenti Putin dhe zyrtarë të tjerë rusë kanë paralajmëruar se do të përdorin të “gjitha mjetet ushtarake” për të mbrojtur këto territore, duke rritur frikën për një përdorim të mundshëm të armëve bërthamore.
Megjithatë, zyrtarët perëndimorë kanë thënë se nuk ka të dhëna se Rusia është e gatshme të përdorë këto lloj armësh.
“Ata kanë nisur ta përgatisin shoqërinë, kjo është e rrezikshme. Ata nuk janë të gatshëm, t’i përdorin ato. Por, ata kanë filluar të flasin për to. Ata nuk e dinë nëse duhet t’i përdorin apo jo. Por, unë mendoj se është e rrezikshme vetëm të flasësh për to”, tha Zelensky.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, teksa shtetet perëndimore janë përgjigjur duke vendosur sanksione të ashpra ndaj Rusisë dhe duke i ofruar ndihmë ushtarake Kievit./REL