Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka shkruar një letër liderit kinez, Xi Jinping, duke e ftuar atë për bisedime. Letra i është dorëzuar delegacionit kinez në Forumin në Davos nga Olena Zelenska, bashkëshortja e presidentit ukrainas.
Zelensky vazhdimisht ka kërkuar që të krijojë kontakt me Xi Jinping që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në fundin e shkurtit të vitit të kaluar, me shpresën se Pekini do të përdorë ndikimin që ka mbi liderin rus, Vladimir Putin.
Gjatë një fjalimi të martën në Forumin Botëror Ekonomik në Davos të Zvicrës, Olena Zelenska tha se kishte një letër për Xi, por ajo dha më shumë detaje gjatë një konference për media më 18 Janar.
Kina ka tentuar që ta pozicionojë veten si neutrale sa i përket luftës, ndërkaq në të njëjtën kohë ka thelluar lidhjet me Moskën, veçanërisht në sektorin e energjisë./REL