Alfred Luli është një ndër pjestarët e grupit të trafikantëve shqiptarë që u shkatërrua një ditë më parë nga drejtësia italiane.
Në një bisedë mes të arrestuarve, ai identifikohet si një person i mirë, që bënte dhe ‘pazar’. Por, gjithashtu ishte përfshirë në një konflikt, saqë e kishin kërcënuar me jetë përmes një të treti.
Pjesë nga biseda:
Rexhep Dallupi: Nuk është ashtu, se ai (Alfred Luli) punonte dhe fitonte…i pëlqente, mori lekë, dmth Noizy (Emirjan Beu) nga (Alfred Luli) dmth ai çuni tjetër (furnizuesi i Noizy-t) ka për të marrë 500-600 mijë euro. Noizy po më thoshte një ditë “u futa në telashe me robin tim (me furnitorin) prej atij (prej Alfred Lulit) dhe ai tha (furnizuesi) që e vret, do e heq qafe tha, por unë nuk ia thashë këtë.
Fillojnë të flasin përsëri për Rrustemajn dhe gruan që erdhi të rrinte 2-3 ditë me të. Pastaj flasin për Ervinin duke thënë se është një djalë modest dhe me këmbë në tokë, ndryshe nga buzëviçi, dhëndri i Noizyt, që shet mend dhe si i tillë mbylli punën.
Enkeleda Bakalli: Po për atë zemra ke marrë vesh gjë? (Për Alfred Lulin)
Rexhep Dallupi: Jo nuk kam takuar asnjë, kë të takoja?
Enkeleda Bakalli: Më vjen keq për atë (Luli Alfred) është djalë i mirë, na e ulte.
Rexhep Dallupi: Po është i mirë, të paktën të takoja vëllain e tij (Gjergji Luli) po nuk i kam numrin e telefonit t’i jepja 500 euro për t’ia çuar atij për ta respektuar.
Banda e trafikut të drogës Itali-Shqipëri u shkatërrua nga megaoperacioni i autoriteteve italiane në bashkëpunim me ato shqiptare drejtohej nga 3 shqiptarë nga Durrësi, Braniol Liço alias Branjol Liço alias Braniol Aga, Gernard Beu alias Gernard Liço alias Gernard Ago dhe Emirjan Beu. Ata drejtonin dhe organizonin trafikun ndërkombëtar të drogës. Nga hetimi i nisur që në vitin 2017 mes autoriteteve italiane dhe shqiptare për çmontimin e bandës italo-shqiptare, u sekuestruan 5 milionë euro dhe sasi të mëdha droge, megaoperacioni i zhvilluar në koordinim me EUROJUST solli 43 urdhër-arreste në të dyja vendet.