Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden po përballet me kundërshtime nga partia e tij në Kongres për miratimin e një buxheti prej 3.5 trilionë dollarësh që do të zgjeronte investimet në kujdesin për fëmijët, kujdesin shëndetësor dhe energjinë e pastër.
Por, siç njofton korrespondentja në Kongres e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, projektligji përballet me një rrugë të vështirë për t’u miratuar.
Ndërsa Joe Biden është shprehur optimist, kjo nismë nuk mbështet ga asnjë republikan dhe po përplas demokratët e krahut më libaral, të ashtuquajturit progresistë, me të moderuarit, që kërkojnë që të sigurohen fondet para se të miratohet programi.
“Ne duam të sigurohemi më parë për fondet, … Unë kërkoj siguri”, tha Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi.
Nëse demokratët bien dakort për shpenzimet, projekligji do të financonte vende pune në sektorin e energjisë së pastër dhe do të ndihmonte largimin e Amerikës nga karburantet fosile.
“Kriza klimatike është një rrezik i qartë dhe i pranishëm për fëmijët amerikanë, të cilët po përballen me një valë agresive të nxehtësisë, përmbytje shkatërruese, rrjete elektrike të dështuara dhe zjarre të papara. Prandaj ne po luftojmë kaq shumë për këtë projektligj. Plani mundëson investime historike në energjinë e pastër, trajtimin e ndryshimeve klimatike dhe drejtësinë mjedisoe për ta bërë Amerikën më të fortë dhe më të qëndrueshme”, tha Ligjvënësja Demokrate Kathy Castor.
Republikanët thonë se ky do të ishte një gabim i kushtueshëm.
“Familjet dhe punëtorët amerikanë përfitojnë nga energjia e përballueshme dhe e bollshme. Demokratët e Uashingtonit po ndjekin politika të së majtës ekstreme, që do të ulnin furnizimin duke rritur çmimet. Planet e demokratëve do të lëndonin familjet amerikane. Gjithë kjo sakrificë nuk do të na sillte ndonjë përparësi të madhe kombëtare. Është e kundërta. Propozimet e tyre do të ishin një dhuratë e madhe për kundërshtarët si Rusia dhe Kina. Është hap prapa për Shtetet e Bashkuara në skenën globale”, tha udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell.
Projekt-ligji parasheh edhe rritjen e taksave për korporatat dhe amerikanët me të ardhura më të larta, për të mundësuar edukimin falas në kolegjet komunitare, pagimin e shpenzimeve për kujdesin për fëmijët dhe shtimin e fondeve për kujdesin shëndetësor.
“Pabarazia në kujdesin shëndetësor është mjeruese dhe çështje dhimbjeje. Për disa është një çëthje jete a vdekjeje”, tha Ligjvënësja Demokrate Elizabeth Warren.
Republikanët thonë se programet e financuara nga qeveria përfundimisht do të dëmtojnë amerikanët.
“Ne mendojmë për pasojat e shpenzimeve tek një person me të ardhura mesatare në vendin tonë. Nënat e pamartura, ose të moshuarit, që kanë si të ardhura vetëm ato të sigurimeve shoqërore. Kur çmimi i karburantit për makinën të rritet me 40 për qind, kur nuk ke të ardhurra të tjera, do fillosh të mendosh për t’i racionuar ato për ushqim, energji dhe gaz. Kur fatura e energjisë të rritet me 20 për qind ndërsa të ardhurat qëndrojnë njesoj, ndikimi është shkatërrues”, tha Tim Scott, Ligjvënës Republikan.
Një marrëveshje tjetër, prej 1 trilion dollarësh, për shpenzime për infrastrukturën, u miratua ndërkohë në Senat me mbështetje dypartiake.
/Marrë nga Zëri Amerikës/