Në Shqipëri, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deklaroi sot se përgatitjet e procesit zgjedhor për ditën e nesërme kanë ecur pa pengesa. Një numër vëzhguesish nga ODIHR, asambleja parlamentare e OSBE-së dhe Këshilli i Europës, së bashku me grupe nga ambasada të ndryshme, do të ndjekin nga afër ecurinë në ditën e votimit.
Komuniteti ndërkombëtar është treguar i vëmendshëm ndaj zhvillimeve të fundit, duke përsëritur thirrjet për nevojën e një procesi të rregullt, e duke kërkuar vetpërmbajtje dhe qetësi nga palët politike. Janë gati 3 milion e 600 mijë shqiptarë të regjistruar në listat e votuesve për zgjedhjen e parlamentit të ri të vendit. Për herë të parë një sistem i identifikimit biometrik, përmes pajisjeve të veçanta do të zbatohet në gati 5 mijë e 200 qendrat e votimit në të gjithë vendin.
Ndërsa në një zonë të kryeqytetit do të pilotohet dhe votimi e numërimi elektronik i votave. Sot është heshtje zgjedhore dhe kur ndajnë vetëm pak orë nga nisja e votimit, Komisioneri Shtetëror Ilirjan Celibashi tha se përgatitjet e procesit zgjedhor kanë ecur pa problem dhe nuk ka asnjë arsye që nesër të gjitha qendrat e votimit të jenë plotësisht gati, duke nisur nga ora 7 e mëngjesit.
Në këto zgjedhje, përvec partisë, qytetarët do të mund të zgjedhin edhe kandidatin e tyre të pëlqyer. Përtej retorikës shpesh të ngarkuar politike, incidenti më i rëndë mbetet ai i të mërkurës në Elbasan, ku një konflikt me armë zjarri mes mbështetësve të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste përfundoi me përdorimin e armëve. 1 person mbeti i vrarë dhe 4 të tjerë u plagosën. Ditët e fundit janë shtuar denoncimet për raste të blerjes së votave. Dy persona u arrestuan dje në Dibër.
Sot një tjetër u ndalua në kryeqytet, ndërsa një nga kandidatët e LSI-së është shpallur në kërkim. Zoti Celibashi kujtoi sot se ligji parashikon sanksione të rënda për shitblerjen e votës. Procesi i votimit do të ndiqet nesër nga afër 42 vëzhguesit afatgjatë të ODIHR-it, ndërsa 215 të tjerë, pjesëtarë të Asamblesë parlamentare të OSBE-së dhe asaj të Këshillit të Europës, dhe stafe të një numri të madh ambasadash do të shpërndahen në të gjithë vendin. Komuniteti ndërkombëtar është treguar i vëmendshëm ndaj zhvillimeve, që lidhen me procesin zgjedhor.
Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian Luigi Soreca në një mesazh të tijin një ditë më parë theksoi se nga mënyra e zhvillimit të këtyre zgjedhjeve dhe respektimi i rezultatit të tyre do të varet ecuria e vendit në procesin e integrimit europian. Nga Shtetet e Bashkuara, drejtuesit e Komisionit të Jashtëm si në Senat ashtu dhe në Dhomën e Përfaqësuesve nxitën autoritetet shqiptare të garantojnë, që votuesit do të jenë në gjendje të hedhin votat e tyre “të lirë nga shitblerja, frikësimi dhe dhuna” duke u shprehur se presin “që të gjithë udhëheqësit – ata aktualisht në detyrë dhe ata që shpresojnë të zgjidhen – të veprojnë në përputhje me normat demokratike”.
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, ka qenë gjithashtu mjaft aktive. Ajo u takua sot me kryetarin e opozitës Lulzim Basha, ndërsa në një postim në Twitter shpjegoi se në 48 orët e fundit ishte takuar dhe me kryeministrin Edi Rama dhe Presidentin Ilir Meta.
Ajo nënvizoi se Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin asnjë parti apo kandidat, por se mbështetin të drejtën e të gjithë qytetarëve për të votuar të lirë dhe në paqe.
Mbrëmjen e djeshme ajo kundërshtoi në një postim në Twitter deklaratat e presidentit Meta për përdorim sfurqesh e sëpatash nga qytetarët, duke i konsideruar ato të papranueshme e të dënueshme.
Ambasadorja Kim theksoi se ata që nxisin dhunën do të jenë përgjegjës për rezultatin e fjalëve dhe veprimeve të tyre. Presidenti Meta u përgjigj duke i kërkuar të mos marrë më në mbrojtje kryeministrin Rama dhe të mos ndërhyjë më në punët e brendshme të Shqipërisë në mënyrë të njëanshme. /VOA