Zeusi (latinisht Juppiter) ishte i biri i titanit Kroni dhe gruas së tij, Rea, zoti suprem i grekëve të lashtë. Grekët e kanë krijuar simbas shembylltyrës së njeriut dhe sipas figurave të sundimtarëve tokësorë të asaj kohe. I ka pasur pra vetitë njerëzore dhe karakterin e njeriut, ndonëse, kuptohet, të egzagjeruara, siç i ka pasur hije atij që sundon mbi sundimtarët e vdekshëm dhe mbi zotërat e pavdekshem.
Nuk ka qenë përherë zot suprem dhe nuk ka sunduar prej kohërave të stërlashta. Sundimin mbi zotërat dhe njerëzit e ka marrë me kryengritje kundër babait të vet, Kronit, i cili po ashtu e ka rrëzuar nga froni babaine vet, Uran, sundimtarin mbi botë pas Kaosit të mirëfilltë. Për dallim nga zotërat suprem (apo të një zoti) të religjioneve të shumta e ka “jetëshkrimin” e vet.
Zeusi biografia:
Zeusi ka lindur në shpellën e malit Dikta në ujëdhesën Kreta, ndërsa nëna e tij, Rea, fshehurazi e ka lindur në Kretë për ta shpëtuar prej Kronit, i cili ia ka marrë të gjithë fëmijët dhe i ka gëlltitur nga frika e kryengritjes së tyre të mundshme. Në vend të djalit, Rea ia jep Kronit gurin e mbështjellur në mantel, dhe kështu Zeusi i ka shpëtuar fatit të vëllezërve dhe motrave të veta më të vjetër, Hestiut, Demetrës, Herës, Hadit dhe Poseidonit. Pasi që Rea nuk ka mundur t’i kushtohet Zeusit të vogël, atë ia beson nimfave, Adrestesë dhe Idasë. Ato e kanë ushqyer me qumështin e Amaltesë, dhisë hyjnore dhe me mjaltë të bletës. Nga rreziku që mos ta zbulojë Kroni e kanë mbrojtur Kuretët, demonët e maleve. Kur qante i rrahnin mburojët e tyre me shpata dhe kërcenin në zhurmën shurdhuese dhe britmat e egra, kështu që Kroni nuk e dëgjonte. Në malin Dikta, por edhe më tepër në Ida, Zeusi u rrit dhe vendosi që të ngritet kundër Kronit dhe ta rrëzojë nga pushteti.
Kryengritjen kundër Kronit, Zeusi e filloi me lirimin e vëllezërve të vet që jetonin në barkun e Kronit, sepse si qenie hyjnore kanë qenë të pavdekshëm, dhe e detyroi Kronin që t’i vjellë. Motrat Hestinë, Demetrën dhe Herën i çoi në skaj të botës, ndërsa vëllezërit Adin dhe Poseidonin i ftoi që t’i bashkohen. Ata pa u hamendur e dëgjuan dhe të bashkuar e sulmuan Kronin. Ateherë Kroni i ftoi në ndihmë vëllezërit e vet titanët dhe, ndonëse të gjithë titanët nuk iu përgjigjën thirrjes, i shkon përdore ta zmbrapsë sulmin e Zeusit, dhe gradualisht ta zbrapsë deri në majën e Olimpit. Në çastin e ankthit më të madh, Zeusit i erdhën në ndihmë ciklopët viganë me një sy. I farkuan rrufetë dhe vetëtimat me të cilat u mbrojt dhe kaloi në kundërsulm. Gjasat e Zeusit me këtë iu përmirësuan dhe kur në mesin e titanëve shpërtheu mosmarrëveshja, Oqeani, Stiksi dhe Prometheu, si dhe disa të tjerë, kaluan në anën e Zeusit. Përkundër kësaj lufta dhjetëvjeçare mbeti e pavendosur. Andaj Zeusi vendosi që nga brendësia e tokës t’i lëshojë Hekatonkeiret, viganët e tmerrshëm njëqinduarësh, të cilët atje i kishte burgosur babai i tyre Urani. Me ndihmën e aleatëve të vet, Zeusi, më në fund, korr sukses. Kronin dhe titanët e tjerë armiqësorë i rroposi në errësirën e amshueshme të Tartarit dhe shpallet sundimtar i gjithësisë.
Të shpallesh mbret dhe të bëhesh mbret nuk është e njëjta gjë, dhe Zeusi për këtë u bind shpejt. Para së gjithash, këtu ishin vëllezërit Hadi dhe Poseidoni, por lufta për pushtet në mes tyre nuk u bë, sepse u paraqit armiku i përbashkët. Hyjnesha Gea u hidhërua në Zeusin për shkak të dënimit të ashpër të titanëve, u bashkua me zotin e errësirës së pafund, Tartarin dhe e sjell në botë Tifonin, viganin njëqindkrerësh të shëmtuar për ta vrarë Zeusin. Tifoni ka qenë aq i madh sa që nën të u fut gjarpri, bërtiste me zëra të kafshëve dhe nga fyti i dragoit villte zjarrin shkatërrues. Zeusit i shkoi për dore që me vetëtima dhe me rrufe pas betejës së rëndë t’i mundë dhe t’i rroposë në Tartar. Pastaj u propozon vëllezërve që pushtetin ta ndajnë me short. Kur u pajtuan me këtë, Zeusi u kujdes që për vete ta ndalë pjesën më të mirë. Poseidonit i takoi deti, Hadit bota nëntokësore, ndërsa Zeusit qielli dhe toka.
Në fillim ka sunduar si titan dhe dy herë është përpjekur për ta ç’farosur njerëzimin. Herën e parë këte ka dashur ta bëjë për arsye se njerëzit i dukeshin të pavlefshëm. Këtë e ka penguar titani Promethe, krijues i njerëzve, i cili u ka sjellë zjarrin dhe u ka mësuar shkathtësi dhe dituri të ndryshme. Herën tjetër Zeusi ka dashur ta ç’farosë njerëzimin për arsye se iu kanë dukur tejet të fuqishëm, dhe kjo gati i shkoi përdore. E çoi në botë përmbytjen, por Prometheu ua mundësoi djalit të vet, Deukalionit dhe gruas së tij Pirhës të shpëtojnë dhe që sërish ta popullzojnë botën me njerëz. Kur Zeusi e forcoi pushtetin e vet, kështu që asgjë nuk mund ta rrezikonte, i lëshoi frerët e sundimit të vet dhe i lëshoi në liri armiqtë e vet të dikurshëm. Kuptohet, se edhe më tutje mbeti sundimtar absolut jo vetëm si udhëheqës i kryengritjes së vet ngadhënjimtare dhe zgjedhjes së vet me short, por edhe pse vet zotërat kanë qenë të vetëdijshëm për fuqinë e tij, kështu që edhe kanë dëgjuar. Nganjëherë, kuptohet, këtë e bënin kundër vullnetit të tyre, dhe ndonjëherë çoheshin edhe kundër tij. Njëherë kanë dashur që ta rrëxojnë nga froni, por ky mbrohet me ndihmën e Briareut, viganit njëqinduarësh. Gjatë tërë sundimit të Zeusit ka shpërthyer vetëm një kryengritje, e cila e ka rrezikuar seriozisht. Ishte kjo kryengritja e gjigantëve, mirëpo, Zeusi, me ndihmën e zotërave të tjerë dhe Herakliun, djalin e vet të botës tokësore, në një luftë të pakompromis, i ka mposhtur. Megjithatë, zotëra kanë qenë, në përgjithësi, të mendimit se me zotin suprem, duhet të jenë mirë. I këtij mendimi, tek e fundit, ka qenë shumica e njerëzve. Në periudhën heroike, Zeusi tani më ka qenë sundimtar i cili nuk e ka harruar pushtetin e vet. Ndonëse ka pasur shumë mungesa njerëzore, megjithatë ka qenë më i miri prej të gjithë sundimtarëve të njohur mhi zotërat dhe njerëzit.
Përkundër kësaj që Zeusi ka qenë sundimtar absolut nuk ka sunduar në mënyrë të pakufishme. Me këtë dallohej prej zotërave të religjioneve të tjera sipas të cilëve pa vullnetin e zotit nuk bie as një fije e flokut. Zotërat e tjerë, sikurse edhe njerëzit, e kanë pasur vullnetin dhe lirinë e vet. Mbi të gjithë zotërat dhe njerëzit, pra edhe mbi vetë Zeusin, ka mbizotëruar diçka më tepër, e pakuptueshme dhe e pandryshueshme: fati. Në të vërtetë flitej, se Zeusi sundon edhe me fatin, por kjo ka qenë vetëm metaforë. Me fat, Zeusi, sikurse secili zot ose njeri, ka mbizotëruar vetëm aq sa i ka kuptuar ndërlidhjet në mes shkaqeve dhe pasojave në pajtim me këto njohuri. Kundër fatit Zeusi ka qenë i paaftë të ndërmerrte çfarëdo. Nuk ka qenë sundimtar i fatit, por vetem rojtar dhe kryes i tij.
Si sundimtar suprem mbi zotërat dhe njerëzit, Zeusi ka qenë nismëtar dhe mbrojtës i ligjeve hyjnore dhe njerëzore. Mbretërve u jipte pushtet, i mbronte kuvendet popullore, e forconte rendin dhe të drejtën, ishte dëshmitar dhe mbrojtës i besës, e dënonte padrejtësinë dhe shkeljen e drejtësisë. Ishte mbrojtës i të gjithë atyre që prej tij kërkonin ndihmë (ndonëse në këtë nuk ka qenë konsekuent). E ka ditur poashtu edhe ardhmërinë dhe ndonjëherë i ka shpallur edhe ngjarjet e të ardhmes me shenja të ndryshme, kryesisht përmes dukurive natyrore, ëndrrave dhe profecive (sidomos poqese njerëzit e kanë lutur për këtë dhe i ofronin flijime gjegjëse). Njerëzve ua ndante të mirën dhe të keqen. Dhuratat e veta i zgjedhte, sipas dëshirës së vet, prej dy enëve të mëdha që i ka pasur në pallatin e vet. Arma më e fortë e Zeusit ishin vetëtimat dhe rrufetë e tij, ndërsa mburoja (egisi ose egida) ka qenë e pamposhtur.
Selia kryesore e Zeusit ka qenë maja e malit Olimp në Thesali, në Greqi, e cila zhdukej në re dhe mbërrinte deri në qiell. Atje ishte edhe pallati i tij madhështor, të cilin ia ka ndërtuar prej floriri zoti Hefest! Me ëndje qëndronte edhe në Ida, malin e Kretës, në Troadë, Parnas, në Fokidë, Kiteron, në Beoti dhe në malet e tjera. Kur nën emrin Jupiter u bë edhe zot i romakëve, banonte edhe në Kapitolin romak. Sa herë e merrte malli, nga Olimpi largohej me qerre prej floriri. Sidoqoftë ka qenë kudo i pranishëm dhe njeriu ka mundur ta lusë për ndihmë jo vetëm në tempullin e tij, por edhe kudo gjetiu. Ndonjëherë zbriste në botë me pamje të ndryshuar. Ta marrë pamjen e çfarëdo njeriu, kafshe ose dukurie natyrore ka qenë privilegj i secilit prej zotërave.
Sundimi me botën e zotërave dhe të njerëzve Zeusin nuk e ngarkonte tepër