Gjatë seancës plenare të ditës së sotme, krahas diskutimeve për buxhetin, është diskutuar edhe zgjedhja e Avokatit të Popullit si dhe anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Kryeministri Rama, në fjalën e tij, është shprehur se nuk do të votojnë kandidaturat që vijnë nga opozita.
Lidhur me zgjedhjen e Avokatit të Popullit, ai ka akuzuar opozitën se kandidatura që ka dhënë, lidhet ngushtë me interesat e tyre personale. Rama gjatë fjalës së tij, është shprehur se opozita po sjell për votim avokatin e tyre, prandaj është absurde të kërkojë nga mazhoranca që ta votojë.
“Ju më kujtoni atë shprehjen ‘i gjëmoni bishtit prapa, vazhdoni gjëmojini’” – është shprehur kryeministri.
Sipas tij, vendimet i takojnë grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe nuk i detyrohen shpjegime askujt. Rama gjithashtu tha se votimi është i lirë dhe secili nga anëtarët e partisë që ai drejton mund të zgjedhë atë që don, kjo lidhur edhe me zgjedhjen e Anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Gjatë fjalës së tij Rama iu drejtua opozitës: “Luftën me mafian bëjeni në fantazitë tuaja”. Kreu i shtetit ka ironizuar akuzat e opozitës lidhur me aferat offshore, duke thënë se logjika e tyre bazohet në faktin se ata nuk mund të zbulojnë aferat korruptive, pasi janë të fshehta.