Kreu i ‘Rithemelimit’ Sali Berisha u ndal sërish ditën e sotme tek zgjedhjet e 14 majit, që sipas tij ishin një farse elektorale. Në një komunikim me gazetarët ai u shpreh se për herë të parë vota u ble me vendim qeverie.
Berisha solli në vëmendje shpërblimin që iu dha pensionistëve, por edhe rritjen e rrogave.
Berisha: “Për grupin parlamentar të PD-së, për deputetët e opozitës, çështja e parë ose kryeçështja e këtij sesioni duhet të jetë farsa elektorale maj 2023. Kjo farsë elektorale ishte një proces, një etapë e re në procesin e shkatërrimit të kombit shqiptar.
Në këto zgjedhje, si në asnjë palë zgjedhje të tjera në 32 vite, Kodi Zgjedhor, Kushtetuta e të drejtës zgjedhore, u shpall në krye të radhës kinezëri nga njeriu që do udhëhiqte operacionin e narkoshtetit dhe të karteleve të drogës kundër procesit të zgjedhjeve të lira për popullin e vet.
Por, jo më pak kriminal është dhe post 14 maji. Për herë të parë, ju mund të riktheni në memorie studio dhe debate televizive ku, njerëz me sy të mendjes së verbuar, bënin çdo gjë që të fshihnin, të maskonin blerjen masive të votës për herë të parë haptas, publikisht me vendime qeverie si kurrë ndonjëherë tjetër.
Propaganda qeveritare ia doli. Imagjinoni tani, në një anë 670 mijë zarfe me 50 mijë lekë secili, në xhepin e 670 mijë votuesve. Rritja e rrogave për 310 mijë punonjës, të gjithë këta së bashku të marrë, bëjnë 980 mijë zgjedhës të trajtuar në këtë mënyrë.”